Lidhje

Fillon fushata e zgjedhjeve në Maqedoni


Në Maqedoni, që nga mesnata e mbrëmshme ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet vendore të cilat do të mbahen më 24 mars. 320 vëzhgues të OSBE-së dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut (ODIHR) do ta mbikqyrin procesin. Fushatës i kanë paraprirë mjaft mosmarrëveshje dhe debate politike, por dhe protestat e dhunshme të para pak ditëve që kanë lënë nën hije aktivitetet parazgjedhore.

Fushata do të zgjasë deri më 22 mars. Zgjedhjet vendore do të mbahen në tetëdhjetë komuna të Maqedonisë dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative. Fushata, megjithëse jozyrtarisht kishte filluar që prej para pak javësh me hapjen e shtabeve zgjedhore të partive, nuk sjell ndonjë risi; retorika e politikanëve dhe kandidatëve mbase mund të pritet të jetë më e matur dhe të shmangen ofendimet dhe denigrimi i kundërkandidatëve, për dallim nga fushatat e kaluara, sepse praktika ka treguar se qasja e drejtë dhe ofertat janë vlerësuar nga elektorati.


Zgjedhjet vendore në Maqedoni janë tepër të politizuara, por ineteresi i votuesve për të marrë pjesë duket se ka rënë nga viti në vit prandaj kufiri i pjesëmarrjes në mënyrë që ato të jenë të vlefshme është mbi 33 përqind. Regjistri i votuesve në Maqedoni edhe pas një fushate për pastrimin e tij, vazhdon të jetë i lartë në krahasim me numrin e popullatës: janë një milion e shtatëqind e dyzet e tre mijë votues të regjsitruar nga një popullatë prej pak më tepër se dy milonë banorë.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë në Gostivar i përuroi kandidatët për kryetarë komunash dhe për anëtarë të Këshillave komunalë. Partia Demokratike Shqiptare u paraqit sot në një lagje të Çairit në Shkup ku pati mbështetjen e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ftoi elektoratin që të votojë kandidatët e PDSH-së. Partia VMRO-DPMNE e ka nisur fushatën nga Ohri ndërsa Lidhja Social Demokrate e opozitës maqedonase në qytetin e Strumicës, në juglindje të Maqedonisë.
Fushatës parazgjedhore, ndërkohë i kanë paraprirë protestat e dhunshme dhe sulmet fizike kundër fëmijëve shqiptarë në qendër të Shkupit para pak ditësh, veprime këto që shikohen si mjaft të dëmshme për bashkëjetesën dhe raportet edhe ashtu të brishta ndëretnike në këtë vend. Autoritetet e rendit kanë njoftuar se kanë ndaluar tetëmbëdhjetë persona të cilët të shtunen sulmuan oficerët e policisë, që përdhosën flamurin shqiptar dhe më pas rrahën fëmijët shqiptarë në sheshin e Shkupit. Ndërkohë po bëhet identifikimi i personave të cilët shfaqën dhunë në protestat e së shtunës. Për rastin e fundit partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë shkëmbyer akuza për organizimin dhe instrumentalizimin e individëve dhe grupeve për qëllime të tyre politike.
XS
SM
MD
LG