Lidhje

Maqedoni: Qendrimi i partive shqiptare ndaj koalicioneve të mundshme

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni, në dallim nga partitë maqedonase, partitë shqiptare në Maqedoni nuk po nxitojnë të bëhen pjesë e qeverisë së re të Maqedonisë.
Ato shprehen të vendosura për të mos hequr dorë nga kushtet e tyre që kanë të bëjnë me shtimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend.
Ndërkohë, të dielën do të mbahet rivotimi në një qendër në Tearcë pranë Tetovës dhe rezultati pritet të përcaktojë mandatarin për formimin e qeverisë.
Gara zgjedhore në Maqedoni ende nuk ka përfunduar dhe rivotimi i së dielës në Tearcë të Tetovës, që mund të përcaktojë se kush do të marrë mandatin për formimin e qeversë së re, shikohet mbase me po aq interes sa vetë zgjedhjet e 11 dhjetorit, ndonëse partitë shqiptare nuk presin ndryshim mandatesh në radhët e tyre nga kjo qendër votimi ku ka shumicë shqiptare.
VMRO DPMNE ka njoftuar bojkotimin e rivotimit dhe mosnohjen e rezultateve që do të dalin nga Tearca. Lidhja Social Demokrate është ajo e cila pret përmbysjen e rezultatit të përgjithshëm në favor të saj dhe nëse ajo merr një mandat pas rivotimit të së dielës, forcat e dy partive maqedonase në parlament do të jenë të barabarta, nga 50 deputetë secila.
Ndërsa VMRO ndjehet fituese e zgjedhjeve dhe pret konfirmimin për të marrë mandatin për formimin e qeverisë, partitë shqiptare, nga ana tjetër lënë përshtypjen se nuk po nxitojnë për një koalicion qeveritar.
Bashkimi Demokratik për Integrim që fitoi dhjetë vende në parlament pohon se ka pasur komunikim me partitë maqedonase por thotë se është ende herët në lidhje me qeverinë e re.
Partia nënvizon parimet si barazia gjuhësore dhe ekonomike, konsensusi, reformat dhe sundimi i ligjit si dhe integrimi i vendit në Nato, që duhen pranuar nga çdo partner i ardhshëm qeevritar maqedonas, siç thotë zëdhënësi Bujar Osmani.
“E dini se kemi rivotim të dielën; Do të presim, sepse kjo mund ta ndryshojë situatën, pastaj BDI do të marrë qëndrimine vetë brenda partisë. Fillimisht do të bisedojë me partitë shqiptare, për shkak se jemi fitues të zgjedhjeve, kemi legjitimitetin e popullit dhe në parimin një komb - një qëndrim, do të përfaqësojmë shqiptarët në negociatat e ardhshme, pastaj do të bisedojmë me mandatarin, cilido qoftë ai pas këtij rivotimi, thotë z. Osmani.
Ndërkohë, partia e dytë sipas mandateve të deputetëve te shqiptarët, Lëvizja Besa, lë përshtypjen se më me dëshirë do të qëndronte në opozitë, megjithëse sekretari i përgjithshëm i saj, Afrim Gashi lë të kuptohet se partia është e hapur për komunikim me të gjitha palët. Ai thotë se kushtet e partisë për të hyrë në qeveri nuk janë vendosur për të mos u arritur por për të bërë një qeverisje më të mirë.
Ne nuk do të jemi në asnjë qeveri ku ka janë njerëz të inkriminuar dhe për të cilët ka dosje të hapura nga Prokuroria e posaçme. Parimi i dytë është se ne do të jemi pjesë e një qeverie e cila fillon të hapë dialogun për ridefinimin e shtetit. Dhe çështja e tretë që është shumë e rëndëishme: mendojmë se nuk bën që asnjë subjekt shqiptar të marrë pjesë në një qeveri e cila nuk e shpallë atë dokument qeverisës, që të jetë transparent dhe i dukshëm për secilin shqiptar dhe të mos jetë i afatizuar! Prandaj ne edhe nëse eventualisht hyjmë në ndonjë qeveri, duam të jemi aty që shqiptarët ta dinë saktësisht se cila është puna jonë dhe për sa kohë do t’i realizojmë qëllimet tona”, thotë z. Gashi.
Ndërkaq, zoti Osmani thotë se BDI ka parimet e veta dhe nuk ka preferenca për asnjë prej dy partive maqedonase për të formuar koalicionin qeveritar:
SB.
Nuk kemi partner strategjik te partitë politike maqedone. Ne nuk na intereson lufta për pushtet ndërmjet partive politike maqedonase, pasi ato, asnjëra nuk përfaqësojnë interesin shqiptar. Shqiptarët kanë votuar platformën e BDI-së në pesë cikle votimesh dhe ajo është adresa e BDI-së për bashkëpunim me mandatarin e ardhshëm , cilido qoftë ai”, thotë z. Osmani.
Osmani thekson se një qeveri funksionale dhe e qëndrueshme mund ta nxjerrë vendin nga kriza; se një qeveri teknike do të thotë vazhdim dhe thellim i krizës, megjithatë nuk përjashton se të gjitha opsionet janë të hapura.
Ndërsa, Afrim Gashi thotë se Lëvizja Besa po përpiqet të mbajë një qëndrim, ashtu siç kanë dashur votuesit shqiptarë që ajo të jetë, t’u përmbahet parimeve të bëra publike në fushatë që janë integrimi i vendit në Nato, zgjidhja e problemit të emrit të Maqedonisë apo vazhdimi i mandatit të Prokurorisë së posaçme.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët e cila fitoi tre vende në parlament përsëritë qëndrimet për formimin e një këshilli politik shqiptar që do të ngritte çështjen e federalizimit ose kantonizimit të Maqedonisë, ndarjen e përshtatshme të buxhetit për komunat dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, si kushte këto për të marrë pjesë eventualisht në kabinetin e ri qeveritar të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG