Lidhje

Mbyllet votimi në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Vendvotimet nëpër komunat e Maqedonisë u mbyllën në ora 7 e mbrëmjes dhe disa prej kandidatëve dhe partive pjesëmarrëse në garë kanë filluar të festojnë.

Ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe organet e rendit nuk flasin për parregullsi të mëdha, partitë opozitare, si maqedonase edhe shqiptare ankohen për një sërë incidentesh, trysnish, shantazhesh, blerje votash, votim familjar, etj.

Ministri i Punëve të brendshme Oiver Spasovski u tha gazetarëve se janë regjistruar ndërpreje të shkurtra të procesit të votimit në disa qendra votimi, por kjo ka zgjatur për 15-20 minuta, pastaj ka pasur raste të fotografimit të fletëvotimit nga votuesit, të cilët janë nodular, apo kur një person ka votuar në emër të një votuesi tjetër.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se udhëheq nëpër disa komuna dhe se ka fituar Kërçovën.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate ka shpallur fitoren në komunën e Haraçinës, të banuar me shqiptarë, ku garuesja Milikije Halimi do të jetë shqiptarja e parë kryetare e një komune nga radhët e LSDM-së.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i cili garon për kreun e Strugës thotë se është në epërsi. Nëse ai dhe kandidati i LSDM-së shkojnë në balotazh, atëherë z. Sela do ta ketë më të lehtë fitoren për shkak të numrit më të madh të shqiptarëve në këtë komunë ku votohet në linja etnike.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se do t’i shpallë rezultatet e para në mesnatë.

Zgjedhjet vendore u zhvilluan në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative. Zgjedhjet shihen me interes edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili pret një proces të drejtë dhe demokratik si kusht për përparimin e vendit drejt strukturave euro-atlantike.

260 kandidatë gjithsej ishin në garë për kryetarë komunash dhe disa mijë të tjerë për anëtarë të këshillave komunalë.

Zgjedhjet vendore në Maqedoni i ndoqën 373 vëzhgues nga misioni ODIHR i OSBE-së, vëzhgues nga disa prej komisioneve qendrore të vendeve fqinje dhe nga ambasadat e huaja në Shkup si dhe mbi pesë mijë pjesëtarë të organizatave joqeveritare vendase.

Ambasadori amerikan Jess Baily u ishte bashkuar pjesëtarëve të ambasadës në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa u bënte thirrje “të gjithëve që të dalin dhe ta japin votën e tyre”.

Ndërkaq, ajo që prej vitesh ka qenë çështje debati është numri i madh votuesve të regjistruar. Maqedonia ka pak mbi 1 milon e 800 mijë votues; Nuk është bërë një census i popullatës që nga viti 2002 kur kishte pak mbi dy milionë banorë, ndërsa emigracioni është një prirje në rritje dhe shumë shtetas vetëm në vitet e fundit kanë kërkuar qëndrim ose ndodhen tashmë në shtetet perëndimore.

Në garën për kreun e Shkupit si favoritë shihen Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Koce Trajanovski i VMRO-DPMNE-së, i cili garon për një mandat të dytë. Por, fitoren e njërit ose të tjetrit e përcaktojnë votuesit shqiptarë në balotazh.

“Administrata e re e qytetit, të cilën do ta drejtoj unë do të ketë legjitimitet të fuqishëm dhe masiviteti në zgedhje jep mundësi që ta fitojmë qysh sonte garën për kryetar të Shkupit”, u shpreh kandidati Socialdemokrat.

“Unë mendoj se qytetarët e Shkupit do t’ia japin mbështetjen atij që ka realizuar projekte dhe atyre të cilët premtojnë dhe ofrojnë projekte të reja për një Shkup më të mirë dhe më të bukur”, tha zoti Trajanovski.

Shqiptarët pritet ta drejtojnë komunën e Tetovës, të Gostivarit, Çairit në Shkup, Strugën, Kërçovën si dhe Dibrën e Madhe dhe disa komuna rurale në veri-perëndim të vendit.

Zgjedhjet vendore në Maqedoni priten me po aq interes sa edhe zgjedhjet e përgjithshme.

Komuniteti ndërkombëtar haptazi ka lënë të kuptohet se pjekuria demokratike, përkatësisht procesi i zgjedhjeve do të diktojë rrugën dhe avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Shtabet zgjedhore të partive dhe kandiatëve i bëjnë të ditura rezutatet e tyre të dielën rreth mesnate dhe ato zakonisht nuk dallojnë shumë nga rezultatet që i shpallë Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG