Lidhje

Maqedonia dhe sfidat për t'u pranuar në BE

  • Isak Ramadani

Këshilli kombëtar për integrime evropiane i Maqedonisë diskutoi të mërkurën mbi reformat e rekomanduara nga Bashkimi Evropian. Partitë opozitare ankohen për mungesën e debatit për çështje jetike.

Ndërkaq, Ambasadori evropian, Samuel Zhobogar tha se hapja e bisedimeve me BE-në është synim i të gjitha partive politike në vend, ndërsa i bëri thirrje opozitës maqedonase që të mos bllokojë proceset me interes strategjik për vendin.

Këshilli Kombëtarl i Maqedonisë për Integrime Evropiane mbledh politikanë, ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e kanë për detyrë t’i ofrojnë ndihmë qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Por, debatet edhepse të rralla në këtë organizëm, i ngjajnë seancave parlamentare, me kritika apo lëvdata të faktorëve politikë dhe mbështetësve të tyre.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar tha se vendimi është i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare dhe jo vetëm i Komisionit Evropian që BE të zgjerohet në vitin 2025. “Varet nga secili vend kandidat se si përgatitet; duhet bindur BE-në për ndryshimet e vëreteta në shtetet aspirante. Maqedonia, tha ambasadori duhet të realizojë reformat dhe rekomandimet e ekspertit Reinhard Priebe të BE-së”:

“Prioriteti numër një, janë reformat në gjyqësor, reformat në shërbimin sekret dhe mënyra se si bëhen emërimet nëpër institucionet e pavarura dhe organet tjera”, theksoi ambasadori Zhbogar disa nga rekomandimet e zotit Priebe. Ambasadori shtoi se “këto kërkojnë bashkëpunim ndërpartiak, ndërsa nga Këshilli për integrime Evropiane pritet të bëhet një motor i rëndëishëm i reformave”.

“Opozita duhet të ndalojë pengesat ndaj reformave politike kur janë në pyetje interesat strategjike kombëtare”, - tha zoti Zhbogar.

Folësit ranë dakord që reformave u duhet paraprirë debatet publike.

“Raporti i Pribes thekson se në këtë vit, pa marrë parasysh se kush është në pushtet, duhet zbatuar rekomandimet e njejta që nënkupton nevojën për debat, transparencë dhe një konsensus më i gjerë vlen edhe për këtë qeveri”, tha ish-ministri i jashtëm Nikolla Popovski.

Zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani raportoi për aktivitetet e qeverisë në kuadër të planit strategjik të njohur si 3, 6, 9 që janë periudhat 3, 6 dhe 9 mujore të miratimit të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se qeveria mbetet e hapur për bashkëpunim të ngushtë me opozitën dhe me presidentin e vendit për të çuar reformat përpara:

”Qeveria në frymë e kohezionit po e avancon dukshëm realizimin e Marrëveshjes së Ohrit nëpërmjet miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Shpresojmë se Kuvendi do të ketë mirëkuptim për rëndësinë që e ka ky ligj në përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe avancimin e mëtutjeshëm të Marrëveshjes së Ohrit”, tha z. Osmani.

“Hipokrizia më e madhe të cilën e bën kjo qeveri është se flet për debat ndërsa nuk krijon as nuk merr pjesë në asnjë debat”, - akuzoi Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së.

Ai kundërshtoi procedurat e shpejta të qeverisë dhe parlamentit për një sërë ligjesh, përfshirë atë të përdorimit të gjuhëve, duke thënë se nuk është bërë asnjë debat publik për këtë.

“Lëvizja Besa, edhe pse s’ka qenë e konsultuar aspak mbi projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe atë e kemi parë vetëm kur është publikuar në faqen e qeverisë, megjithatë në parlament e përkrahim këtë (projekt)ligj. Por parashtrohet pyetja, kush e ndihmon konsensusin këtu dhe kush duhet ta bëjë atë, partitë opozitare apo qeveria?”, - u shpreh Afrim Gashi i Lëvizjes “Besa”:

BE pret që zgjedhjet vendore të 15 tetorit të zhvillohen në një frymë demokratike dhe të lirë, ndërkohë që autoritetet në Shkup janë përpjekjur që përmes ndryshmeve të kodit zgjedhor të synojnë standardet evropiane. Procesi i zgjedhjeve padyshim do të ndikojë tek raporti i radhës i Komisionit Evropian mbi arritjet e Maqedonisë. Vendi pret një datë për hapjen e bisedimeve nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG