Një gjykatë në Shkup i shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ish-drejtoritë shërbimit sekret maqedonas, Vladimir Atanasovski.
Ai akuzohet për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit 2017 në parlamentin e Maqedonisë. Zoti Atanasovski u arrestua të martën mbrëma pas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga dy vëllezërit Mlladenovski, të cilët drejtuan gishtin kah ish-shefi i shërbimit sekret, si organizator i atyre ngjarjeve.
Atanasovski ngarkohet për veprën penale “bashkim me qëllim të veprimit armiqësor”, për çka ligjet e vendit parashikojnë dënim me burg së paku prej katër vjetësh.
Prokurorja Vilma Ruskovska i tha medies se kishte kërkuar arrestimin e Atanasovskit për shkak të mundësisë së arratisjes së tij, të ushtrimit të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.
Dy vëllezërit të cilët dëshmuan në procesin gjyqësor, e që po ashtu janë të akuzuar në këtë proces, thanë se planin e kishte përgatitur dhe zbatuar ish-shefi i shërbimit së bashku me Aleksandar Vasilevskin – Ninxha, “i cili kishte pasur mbështetje të plotë logjistike nga strukturat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim”, siç njihet shërbimi sekret maqedonas “dhe nga ish-zëvendës-shefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e punëve të brendshme, Nikolla Boshkovski”, i cili është arratisur prej muajsh dhe ndodhet në Greqi ku ka kërkuar strehim.
Vladimir Atanasovski qe emëruar drejtor i shërbimit sekret në vjeshtën e 2016-s pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit nga detyra, kur filluan dhe hetimet për dhunën në parlament. Atanasovski aktualisht ishte i angazhuar si këshilltar për çështjet e sigurisë në kabinetin e kryetarit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.
Hetimet pritet të zgjerohen, ndërsa prokuroria nuk dha hollësi të tjera.
Nga ana tjetër, pushteti dhe tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja po përgatisin një projekt-ligj për faljen e një kategorie personash të cilët akuzohen për përfshirje në dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar. Pesë deputetë të VMRO-së janë në listën e të akuzuarve. Pritet që do të falen ata të cilët ishin pjesë e turmës që hyri me forcë në parlament, deputetët e akuzuar gjithashtu, por jo organizatorët dhe ata të cilët ushtruan dhunë të drejtpërdrejtë.
Facebook Forum