Lidhje

Shtohet numri i forcave policore në Kumanovë


Të premten në Kumanovë është shtuar numri i forcave policore nëpër rrugët kryesore dhe para institucioneve shtetërore. Gjendja ka shqetësuar banorët. Autoritetet nuk bëjnë shpjegime, përveç asaj se po marrin masa sigurie. Ndërkaq, një pjesë e medias spekullon se forcat e shtuara të sigurisë ndërlidhen me kërcënimet eventuale të njërit prej pjesëtarëve të grupit të armatosur, i cili mundi t’i arratisej policisë.

Personi i quajtur Sulejman Osmani ka folur për mjete të informimit ku ka thënë se pasi i ishte dorëzuar policisë speciale maqedonase ishte detyruar t’ua zbulojë atyre vendin e armatimit, në një fshat të zonës së Karadakut dhe, ndonëse i prangosur, kishte arritur të arratisej.

Por, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka hedhur dyshim për të kaluarën e këtij personi gjatë konfliktit të vitit 2001, dhe ka shprehur habi se si mundet një njeri me pranga në duar të arratisej!

Zoti Ahmeti në një intervistë dhënë televizionit Alsat-M në Shkup ka bërë të ditur për përpjekjet e tij që të negociojë dorëzimin e grupit të armatosur, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pasi i ishte kërkuar ndihmë me telefon nga vetë grupi. Zoti Ahmeti tha se përmes njerëzve të partisë së tij ka njoftuar institucionet përkatëse dhe Ambasadën e SHBA-së dhe përfaqësinë e OSBE-së, gjithashtu, në lidhje me kërkesën e grupit për t’u dorëzuar pa kushte. Sipas, tij, njëzetë e gjashtë pjesëtarë të grupit të armatosur janë dorëzuar, por gjatë kësaj, ka pasur komplikime, me gjasë mosmarrëveshje tek një pjesë e grupit të armatosur dhe se në këtë kohë janë vrarë edhe dy ose tre policë.

Zoti Ahmeti ka pranuar se qysh para këtij konfikti, kishte pasur dijeni për synimet për krijimin e destabilizimit në Maqedoni dhe kishte dërguar një zyrtar të partisë së tij që të bisedonte me Sami Ukshinin, të njohur si komandant Sokoli, për të hequr dorë nga veprimet e tilla dhe ai, Sokoli, të ishte shprehur se nuk ishte pjesë e ndonjë plani të tillë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Rendit thonë se nuk ka pasur asnjë lloj negociatash me grupin terrorist, siç e quajnë ata, për t’u dorëzuar.
Policia maqedonase ka njoftuar se nga dhjetë të vrarët në Kumanovë kanë arritur të zbulojnë identitetin e dy vetave dhe ata janë Mirsad Ndrecaj me nofkën Komandant Nato dhe Begë Rizaj që është konfirmuar nga zyra e Interpolit në Shkup.

Megjithatë, një pjesë e medias shpreh mosbesim ndaj njoftimeve të zyrtarëve qeveritarë maqedonas lidhur me ngjarjet e përgjakshme në Kumanovë. Ka që shprehin dyshime se rasti mund të ishte i sajuar nga vetë struktura maqedonase të sigurisë për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike dhe skandali i përgjimeve dhe për të frikësuar, njëkohëshisht, popullatën që të mos i bashkohej opozitës në protestat për rrëzimin e pushtetit.

XS
SM
MD
LG