Lidhje

Maqedonia voton për pushtetin komunal


Sot në Maqedoni po mbahen zgjedhjet vendore. Gara në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative pritet të jetë e vështirë, ndërsa mendohet se pak garues mund të fitojnë që në raundin e parë.

Procesi zgjedhor në kryeqytetin e Maqedonisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Gjithsej janë 260 kandidatë për kryetarë komunash dhe shumë më tepër kandidatë për anëtarë të këshillave komunalë.

Procesi duket që ka rrjedhur i qetë, ndërsa një numër vëzhguesish vendas kanë vërejtur dhjetra raste të parregullsive në qendrat e votimit. Por, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka bërë me dije hollësi për këto parregullsi.

“Janë marrë masa paraprake. KSHZ është duke mbajtur seancë ku po shqyrtohen të gjitha ankesat që vijnë nga komisionet komunale ose nga qytetarët të cilët vlerësojnë se është shkelur e drejta e tyre zgjedhore”, tha zëdhënësja Arjeta Xhemaili në një konferencë me mjetet e informimit.

Zgjedhjet vendore në Maqedoni po i ndjekin 373 vëzhgues nga misioni ODIHR i OSBE-së, vëzhgues nga disa prej komisioneve qendrore të vendeve fqinje dhe nga ambasadat e huaja në Shkup si dhe nga mbi pesë mijë pjesëtarë të organizatave joqeveritare vendase.

Ambasadori amerikan Jess Baily iu është bashkuar pjesëtarëve të ambasadës në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa u ka bërë thirrje “të gjithëve që të dalin dhe ta japin votën e tyre”.

Ndërkaq, ajo që prej vitesh ka qenë çështje debati është numri i madh votuesve të regjistruar. Maqedonia ka pak mbi 1 milon e 800 mijë votues; Nuk është bërë një census i popullatës që nga viti 2002 kur kishte pak mbi dy milionë banorë, ndërsa emigracioni është një prirje në rritje dhe shumë shtetas vetëm në vitet e fundit kanë kërkuar qëndrim ose ndodhen tashmë në shtetet perëndimore.

Në garën për kreun e Shkupit si favoritë shikohen Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Koce Trajanovski i VMRO-DPMNE-së, i cili garon për një mandat të dytë. Por, fitoren e njërit ose të tjetrit e përcaktojnë votuesit shqiptarë në balotazh.

“Administrata e re e qytetit, të cilën do ta drejtoj unë do të ketë legjitimitet të fuqishëm dhe masiviteti në zgedhje jep mundësi që ta fitojmë qysh sonte garën për kryetar të Shkupit”, u shpreh kandidati Socialdemokrat.

“Unë mendoj se qytetarët e Shkupit do t’ia japin mbështetjen atij që ka realizuar projekte dhe atyre të cilët premtojnë dhe ofrojnë projekte të reja për një Shkup më të mirë dhe më të bukur”, tha zoti Trajanovski.

Shqiptarët pritet ta drejtojnë komunën e Tetovës, të Gostivarit, Çairit në Shkup, Strugën, me gjasa të mëdha edhe Kërçovën si dhe Dibrën e Madhe dhe disa komuna rurale në veri-perëndim të vendit.

Zhvillimi i zgjedhjeve vendore në Tetovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Zgjedhjet vendore në Maqedoni priten me po aq interes sa edhe zgjedhjet e përgjithshme.

Komuniteti ndërkombëtar haptazi ka lënë të kuptohet se pjekuria demokratike, përkatësisht procesi i zgjedhjeve do të diktojë rrugën dhe avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Shtabet zgjedhore të partive dhe kandiatëve do t’i bëjnë të ditura rezutatet e tyre sonte para mesnate dhe ato zakonisht nuk dallojnë shumë nga rezultatet që i shpallë Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve. KSHZ pritet t’i shpallë të hënën rezultatet e para, jozyrtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG