Lidhje

Maqedonia bëhet me qeveri të re


Qeveria e re e Maqedonisë u miratua në mesnatë me 62 votat e shumicës parlamentare, ndërsa 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së votuan kundër dhe pesë të Lëvizjes Besa abstenuan gjatë votimit. Në kabinetin prej 25 ministrash, Bashkimi Demokratik për Integrim ka 6, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dy ministra. Kryeminstrin Zoran Zaev dhe qeverinë e tij e presin shumë sfida.

Kryeministri i ri maqedonas menjëherë pasi u votua qeveria, tha pas mesnate se duhet shtrirë dorën gjithkujt dhe mjaft më me ndarje. Ai shtoi se kabineti i tij do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Maqedonia bëhet me qeveri të re
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Që prej zgjedhjeve të 11 dhjetorit, Zoran Zaev ka udhëhequr një fushatë të quajtur “Jetë për të gjithë”. Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë mori dhjetra mija vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Ndërkaq, paralajmërimet e tij për ngritjen e taksave “për të pasurit”, apo për ata që fitojnë më tepër se 1 mijë euro në muaj, kanë nxitur kritika te opozota e drejtuar nga VMRO-DPMNE. Ligjvënësit e kësaj të fundit u shprehën skeptikë për aftësitë e qeverisë së re në lidhje me ngritjen ekonomike, thithjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkohë, zoti Zaev tha se pushteti i kaluar kishte prirje albanofobe, radikale-nacionaliste dhe banditeske, siç u shpreh në foltoren e parlamentit, dhe prandaj, sipas tij, ai pushtet ra.

Por, drejtuesi i ri opozitar Nikolla Gruevski, i hodhi poshtë akuzat që i bëhen partisë së tij në drejtim të armiqësisë ndaj shqiptarëve, duke thënë se qeveria e tij kishte investuar, rregulluar infrastukturën në zonat e banuara me shqiptarë dhe kishte ngritur numrin në adminstratën shtetërore të shqiptarëve nga dhjetë për qind në 2006-tën në njëzet për qind deri tash.

Qeveria, të cilën Zaev dhe pushteti i ri e quan reformatore pritet t’i përkushtohet reformave në gjyqësor, në arsim, proceseve integruese dhe rritjes ekonomike. Në këtë kuadër, kryeministri i ri pak minuta pasi u votua i ka bërë thirrje kryeprokurorit të përgjithshëm shtetëror Marko Zvërlevski që të japë dorëheqje për të mos pritur shkarkimin e tij nga parlamenti.

Shumëkush në Maqedoni pret që pushteti i ri të krijojë të paktën një atmosferë relaksuese në aspektin e marrëdhënieve ndëretinke, duke filluar me zbardhjen e disa proceseve gjyqësore për çka ka mendime se mund të jenë të montuara, ku shqiptarët kanë marrë dënime të larta.

Programi i qeverisë Zaev ka përfshirë dhe një pjesë të madhe të kërkesave të partive shqiptare, pjesë e koalicionit qeveritar, megjithëse nuk ka një afat të caktuar se kur, për shembull do të hyjë në procedurë parlamentare zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe.

Të enjten, gjatë ditës është bërë pranim-dorëzimi i detyrës nga përfaqësuesit e qeverisë së re nga ajo e vjetra.

Qeveria e re është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar, SHBA e BE.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert shkruan në një komunkatë se SHBA si mike dhe partnere të Maqedonisë duan të bashkëpunojnë me qeverinë e re, “ndërsa kjo zotohet të plotësojë aspiratat Euro-Atlantike të vendit duke zbatuar reformat urgjente të cilat forcojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqsorit, lirinë e medias dhe llogaridhënien e qeverisë”.

Ndërkaq, Shefja për Politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn premtojnë mbështetje për punën e qeverisë së Shkupit. Ata presin zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat urgjente, ndërsa partive politike u kërkojnë që t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të angazhohen rreth reformave dhe të kthehen në rrugën e integrimit evropian.

Qeveria e drejtuar nga social-demokratët i dha fund pushtetit gati njëmbëdhjetë vjeçar të VMRO-DPMNE-së, e konsideruar me prirje nacionaliste dhe që për gjysmë viti e mbajti peng procesin e transferimit të pushtetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG