Lidhje

Parlamenti i Maqedonisë shkarkon Prokurorin e Përgjithshëm

  • Isak Ramadani

Parlamenti i Maqedonisë e shkarkoi të enjten Prokurorin e Përgjithshëm publik, Marko Zvërlevski pas shumë zvarritjesh të seancave nga deputetët opozitarë.

Qeveria dhe shumica parlamentare e shikojnë zotin Zvërlevski si joprofesional dhe të ndikuar politikisht nga pushteti i kaluar. Ai nuk kishte ngritur asnjë procedurë hetimore për akuzat që u bëhen ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë në lidhje me bisedat e përgjuara telefonike në skandalin e para dy viteve.

Deputetët e shumicës parlamentare i duartrokitën votimit për shkarkimin e Prokurorit të përgjithshëm publik, Marko Zvërlevski, debati për të cilin u zvarrit për 12 ditë ga ligjvënësit opozitarë të VMRO-DPMNE-së në seancat parlamentare.

Këta të fundit hoqën dorë nga debati, replikat dhe kundër-replikat që i bënin vetë kolegëve të partisë së tyre, si taktikë e zvarritjes së seancës, mbase për shkak të lodhjes me që kryetari i Parlamentit thërriste seancat edhe në fundjavë dhe çdo pauzë që kërkonte VMRO-ja, ai e kompensonte me punë në orët e vona të natës.

64 deputetë votuan për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm Zvërlevski. Ai shikohej nga partitë e reja të pushtetit si i afërm me VMRO-në dhe drejtuesit e saj, joprofesionalë në detyrë, ndërsa nuk kishte ngritur asnjë procedurë hetimi për ish-drejtuesit qeveritarë të cilët Prokuroria e Posaçme i akuzonte për vepra penale dhe krime të ndryshme.

VMRO-ja opozitare vendosi të tërhiqej nga debati sidomos pas një konsultimi me Komisionin për Pengimin e Korrupsionit që kishte konstatuar se në këtë periudhë kur është caktuar data e zgjedhjeve vendore, nuk është i ligjshëm shkarkimi i prokurorit publik, as emërimi i kuadrove nëpër institucione, drejtori publike dhe administratë.

Deputeti Ilija Dimovski i VMRO-së kërcënoi kolegët e tij deputetë të shumicës se “do të përballeshin me pasoja ligjore për shkak se po e shkilnin ligjin”, sipas tij.

Por, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi tha se ai nuk ka kërkuar mendimin e Komisionit antikorrupsion në lidhje me shkarkimin e krye-prokurorit, se komentet e këtij komisioni nuk janë obligative dhe se i vetmi institucion që mund ta rrëzojë një vendim të parlamentit është Gjykata Kushtetuese, tha zoti Xhaferi.

Deputetët e VMRO-së u larguan nga salla plenare para se të votohej për shkarkimin e zotit Zvërlevski.

Njohësit e rrethanave politike dhe ligjore në Shkup vlerësojnë me largimin e këtij të fundit mund t’u hapet rruga reforma në sistemin gjyqësor, por se kjo do të marrë mjaft kohë sepse shumë gjykatës ende janë nën ndikimin e VMRO-së opozitare, sipas analistëve.


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG