Lidhje

Maqedoni, vazhdon ngërçi politik

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni po vazhdon ngërçi politik me bllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të parlamentit dhe formimit të qeverisë. Shumica e re parlamentare, ku bëjnë pjesë Lidhja Social Demokrate me partitë shqiptare, po përpiqen të gjejnë një zgjidhje, ndërsa VMRO-DPMNE kërcënon me trazira, nëse qeverisjen e marrin social-demokratët.

Procesi i zgjedhjes së kreut të parlamentit, me këtë edhe i formimit të qeverisë së re të Maqedonisë, ka ngecur, si rezultat i qëndrimit këmbëngulës të partisë VMRO-DPMNE, e cila ka bllokuar procedurat në parlament, duke zvarritur seancën dhe duke mos lëshuar pè.

Partia kërcënon me trazira ndërsa për çdo natë, nga disa qindra protestues dalin rrugëve të Shkupit dhe në qytete të tjera të vendit, të mbështetur nga partia e ish-kryeministrit Gruevski në kundërshtim të asaj që e quajnë “federalizim të Maqedonisë nga rreziku i zyrtarizimit të gjuhës shqipe”.

VMRO-ja vlerëson se Lidhja Social Demokrate, e cila pretendon të formojë qeverinë, po përpiqet që përmes skenarëve të dhunshëm ta zgjedhë kryetarin e parlamentit.

Por socialdemokratët i hedhin poshtë akuzat.

Deputeti Oliver Spasovski i LSDM-së thotë se partia e tij do të veprojë sipas rregullores së parlamentit. Partia pret ndryshime në rendin e ditës së seancës parlamentare dhe zgjedhja e kryetarit të Parlamentit të kalojë nga pika e fundit të debatit, në çështje me përparësi. Social Demokratët kërkojnë transferimin e qetë të pushtetit, sipas vullnetit të shumicës së votuesve në zgjedhjet e dhjetorit. “VMRO-ja nuk guxon ta mbajë vendin peng vetëm për të shpëtuar disa kriminelë”, thuhet në një komunikatë të ditës së premte të LSDM-së.

Edhe komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shprehet i shqetësuar për zhvillimet në Maqedoni. Përfaqësues të Parlamentit Evropian në seancën e fundit kanë kërkuar që të respektohen proceset demokratike dhe që shumicës së deklaruar parlamentare t’i mundësohet formimi i qeverisë, për t’i dhënë kështu fund krizës politike në vend.

Por, presidenti Gjorgje Ivanov nuk ka reflektuar, edhe pas një sërë kërkesash dhe sugjerimesh nga shtete perëndimore dhe organizata të tjera, që mandati për formimin e qeverisë t’i jepet shumicës parlamentare. Zoti Ivanov vazhdon të theksojë se "platforma shqiptare e hartuar në Tiranë" dhe e mbështetur nga Lidhja Social Demokrate paraqet rrezik, sipas tij, për interesat dhe sovranitetin e Maqedonisë.

Ndërkohë, një numër analistësh në Shkup vlerëson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk po përfshihen sa duhet në zgjidhjen e ngërçit më se dy vjeçar të Maqedonisë dhe se po presin që drejtuesit e këtushëm politikë të merren vetë me problemet e brendshme.

Kjo shikohet si kriza më e vështirë politike dhe institucionale në të cilën ka rënë vendi, ndonëse zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i jepnin fund asaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG