Lidhje

Maqedoni: BDI shqyrton mundësinë e daljes nga qeveria

  • Isak Ramadani

Bashkimi Demokratik për Integrim po shqyrton mundësinë e daljes nga qeveria aktuale me VMRO-DPMNE-në për t’i hapur rrugën procesit të formimit të qeverisë së re nga shumica e re parlamentare. Por, partia nuk është e sigurtë nëse një hap i tillë do ta zgjidhte problemin. Ndërkohë, Lëvizja Besa konfirmon se mbetet pjesë e shumicës së re parlamentare pavarësisht nga mospajtimi me propozimin që një anëtar i BDI-së të bëhet kryetar parlamenti.

Në një situatë kur parlamenti i Maqedonisë po debaton me ditë të tëra në lidhje me zgjedhjen e organeve drejtuesve përfshirë kryetarin e parlamentit, por pa treguar ndonjë sukses në zgjidhjen e ngërçit, Bashkimi Demokratik për Integrim, nga ana tjetër, po shqyrton mundësinë e tërheqjes së ministrave dhe kuadrove të saj nga qeveria aktuale me VMRO-DPMNE-në.

Por, BDI-ja nuk është e sigurt nëse largimi nga qeveria do të përshpejtonte zgjidhjen e krizës. Parlamenti i ri, pa kryetar, do të duhej të verifikonte dorëheqjen eventuale të ministrave të BDI-së. Parlamenti ose do ta zvarriste seancën, siç ka bërë gjatë këtyre ditëve, ose do të miratonte, sipas analistëve, zëvendësministrat e tashëm në postet ministrore që do të lironte BDI-ja.

Por, a është shkuarja në zgjedhje të reja, një prej opsioneve që do të ndihmonte proceset demokratike, përgjigjet kryetari i BDI-së Ali Ahmeti:

Nuk është më e mirë shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Kemi probleme shumë më të rëndësishme se zgjedhjet e parakohshme. Ne jemi në kërkim të zgjidhjeve më të mira që të dalim nga kjo situatë. Sepse, zgjedhjet vendore janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet e përgjithshme. Përse të organizojmë zgjedhje të përgjithshme kur nuk do të ndryshonte asgjë? Mund të përsëritej e njejta situatë”, shprehet z. Ahmeti.

Ndërkohë, shumica e re parlamentare mbetet e vendosur për formimin e qeverisë së re, duke hedhur poshtë kështu zërat se Lëvizja Besa mund të tërheqë firmat e ligjvënësve të saj për shkak të mospajtimit lidhur me kandidatin për kryetar të parlamentit, që është Talat Xhaferi i BDI-së, i papranueshëm për partinë e re shqiptare.

Afrim Gashi i Lëvizjes Besa ka bërë me dije se nuk tërhiqen nga shumica parlamentare dhe se do ta ndihmojnë procesin, ndërsa ka vënë në dyshim çështjen e reformës së një qeverie nëse në pozita të larta shtetërore vendosen kuadro të BDI-së të dyshuar për veprimtarinë e tyre politike në koalicionin nëntëvje[ar me VMRO-në.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës dyvjeçare që shpërtheu me publikimin e skandalit të përgjimeve, por ngërçi jo vetëm që nuk është zbutur por duket se ka tendenca për një thellim edhe më të madh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG