Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në fjalimin e fundvitit në parlament, që njëkohësisht është dhe fjalimi i tij i fundit para ligjvënësve, theksoi mospajtimin me marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë; u shpreh kundër ligjit për gjuhën shqipe, ndërsa bëri një numër kritikash në adresë të qeverisë.
Presidenti maqedon Gjorgje Ivanov në fjalimin e fundvitit para deputetëve në parlament përsëriti qëndrimet e njohura mbi zhvillimet politike në vend, ndërsa la të kuptohej se ai dhe familja e tij po përgjoheshin nga shërbimi sekret.
Ai u bëri thirrje ligjvënësve që ta hedhin poshtë Marrëveshjen e Prespës duke mos votuar ndryshimet e pritshme kushtetuese, të cilat megjithatë janë kushti kryesor për përparimin e Maqedonisë drejt integrimeve në Nato dhe BE.
Çështja e emrit dhe identitetit, shtoi ai, është më e vjetër se çdo Kushtetutë, se çdo qeveri, çdo parti dhe çdo president. Është me vjetër se edhe vetë shteti, sipas presdentit Ivanov, i cili u shpreh se asnjë individ dhe asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të bëjë pazare me emrin dhe identitetin maqedonas.
Në lidhje me amnistinë e fundit që miratoi parlamenti, zoti Ivanov tëroqi një krahsaim duke thënë se dallimi midis faljeve që kishte bërë ai dhe amnistisë së tashmë lidhur me dhunën e vitit të kaluar në parlament është tek synimet. Synimi i tij kishte qenë pajtimi përmes faljes, ndërsa tash pushteti synonte që të sigurojë mbështetje e ndryshimet kushtetuese përmes kërcënimeve ndaj ligjvënësve për t’i votuar këto ndryshime. Ai kishte për qëllim pengimin e kasoit ndërsa shmica e tashme parlamentare e çonte vendin drejt kaosit, siç u shpreh.
Duke folur për ligjin e gjuhëve, i cili parasheh një shtrirje të gjerë të përdorimit të shqipes, zoti Ivanov tha se ligji e shkel Kushtetutën dhe se është sjellë jashta procedurave. Ai do ta bllokojë shtetin, sipas presidentit maqedon.
Deputetët shqiptarë nuk ishin të pranishëm në sallë për ta dëgjuar fjalimin e fundit të Gjorgje Ivanovit si president. Atij i përfundon mandati në fillim të muajit maj. Presidenca dhjetëvjeçare e tij shënoi një sërë përplasjesh jo vetëm me shqiptarët dhe eksponentët e tyre politik, ndonëse këta të fundit i kishin ndihmuar të qëndrojë dy mandate në postin më të lartë të shtetit, por dhe me Lidhjen Social Demokrate sa ishte në opozitë dhe tani në pushtet.
Facebook Forum