Lidhje

Nëntë të arrestuar në Maqedoni nën dyshimet për përfshirjen në ISIS


Arkiv
Arkiv

Policia maqedonase është në kërkim edhe të 27 personave të tjerë të dyshuar se kanë luftuar përkrah grupit militant Shteti Islamik ose kanë nxitur përfshirjen në atë grup.

Policia në Maqedoni tha se ka arrestuar nëntë persona nën dyshimet për përfshirje në grupin Shteti Islamik dhe është në kërkim të 27 personave të tjerë.

Arrestimet u kryen në kuadër të një operacioni në shkallë të gjerë në kërkim të siç thuhet, personave të dyshuar për pjesëmarrje në luftërat jashtë vendit dhe të përfshirë në nxitjen dhe rekrutimin e pjesëmarrësve në ato luftëra, përkatësisht përkrah militantëve të grupit Shteti Islamik.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë tha se gjatë operacionit që u zhvillua përveç në Shkup edhe në Kumanovë, Strugë, Tetovë e Gostivar, janë bastisur mbi 20 shtëpi, një internet kafe dhe një xhami në Shkup e cila nuk ishte nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Në mesin e të arrestuarve është një imam nga Shkupi që autoritetet e shohin si udhëheqës ideologjik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, tha se hetimet kundër këtij grupi kishin nisur që nga shtatori i vitit të kaluar.

“Në bazë të dëshmive të siguruara, janë ngritur kallëzime penale kundër 36 personave, që dyshohen për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake dhe policore”, tha ai.

Ligjet e Maqedonisë parashohin dënime me më shumë se pesë vjet heqje lirie për personat që përfshihen në nxitjen, rekrutimin apo pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit.

Nga këta, 27 janë në arrati, pjesa më e madhe besohet se ende ndodhen në Siri dhe në Irak.

Sipas policisë maqedonase besohet se 16 veta janë vrarë në luftën në Siri, ndërsa mbi 100 të tjerë ndodhen edhe më tej në Lindjen e Mesme.

.Ambasada amerikane në Shkup mirëpret operacionin

Ambasada amerikane në Shkup përgëzoi autoritetet maqedonase për operacionin e sotëm ndaj personave të dyshuar si terrorist dhe mbështetës të terrorizmit.

Jemi informuar se ky operacion ishte rezultat i një hetimi të gjatë dhe të vëmendshëm nga ana e policisë, shërbimeve të zbulimit dhe zyrës së prokurorit, në pajtim me ligjet e reja anti-terrorizëm në Maqedoni. Mbështesim përdorimin e procedurave të drejtësisë penale nga ana e qeverisë, për të ndaluar lëvizjen e luftëtarëve terrorist drejt rajoneve të konfliktit, për të frenuar dhunën dhe për të luftuar fuqimisht ekstremizmin e dhunshëm”, thuhet në një deklaratë të ambasadës, në të cilën theksohet se operacioni i sotëm ndihmon përpjekjet rajonale dhe botërore për t’i dhënë fund murtajës së terrorizmit.

Siç e tha sekretari i shtetit John Kerry: cdo vend ka rolin e vet në shkatërrimin dhe mundjen e ISIS-it. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të ndihmojnë Maqedoninë dhe shtetet tjera në rajon dhe në botë, në përpjekjet e tyre për të luftuar ISIS-in. Siç tha presidenti Barack Obama në Kombet e Bashkuara shtatorin e kaluar, ata që janë të përkushtuar ndaj kësaj pune urgjente do të kenë Shtetet e Bashkuara partner të fuqishëm dhe të palëkundur”, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG