Lidhje

Maqedoni, hetime për çështjen e përgjimeve


Në Maqedoni, Prokuroria Speciale Publike ka hapur hetime në lidhje me shkatërrimin e pajisjeve për përgjim. Prokuroria ka njoftuar për lëndën e radhës të koduar “Kështjella”, ku dyshohen 5 persona të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 10 milionë Eurosh, me asgjësimin e këtyre pajisjeve.

Dy nga të dyshuarit janë shefa në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ndërsa i dyshuari kryesor është Goran Grujovski, shef i një drejtorie të MPB-së.

Përfaqësuesja e Prokurorisë Speciale, Lençe Ristoska u tha mjeteve të informimit, se pajisjet e shërbimit sekret për përgjim ishin çuar për asgjësimin e tyre.

Skandali i përgjimit që shpërtheu para një viti në Maqedoni vazhdon të jetë një çështje debatesh, ndërsa Prokuroria Speciale e vendit ka hapur disa raste që lidhen me këtë skandal. Çështja i detyroi madje partitë kryesore të vendit që të arrijnë një marrëveshje për reforma në disa fusha, për t’i dhënë fund krizës politike që kishte përfshirë vendin. Si rezultat, edhe Nikolla Gruevski u detyrua të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit, si dhe disa ministra të tjerë, për të cilët pretendohej se dëgjoheshin në audio-regjistrimet e publikuara nga opozita maqedonase.

XS
SM
MD
LG