Lidhje

Shkupi kërkon shpjegim për agjentin serb në parlament

  • Isak Ramadani

Opinioni publik në Maqedoni është ndjerë i shqetësuar pas njoftimeve për praninë e një agjenti serb në ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë, para një muaji.

Autoritetet shtetërore maqedonase i kishin kërkuar ambasadores serbe në Shkup që të shpjegojë praninë e këshilltarit të kësaj ambasade në sulmet e dhunshme brenda parlamentit të Maqedonisë më 27 prill. Këshilltari Goran Zhivaljeviç është njëkohësisht oficer i shërbimit serb të zbulimit, BIA.

Ambasadorja Dushanka Divjak-Tomiç ishte të premten në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, për të shpjeguar lidhur me incindentin.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, drejtuar nga VMRO-DPMNE ka lënë të kuptohet se nuk do të kërkojë largimin e agjentit e as do të bëjë notë proteste.

Ndërkohë, autoritetet në Beograd nuk shikojnë shkelje të ligjeve dhe të Konventës së Vienës nga zyrtari i ambasadës në Shkup.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pas një takimi të shkurtër me kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë, Zoran Zaev të mërkuren në mbrëmje në Bruksel, është shprehur se agjenti Zhivaljeviç nuk ka kryer ndonjë vepër penale me praninë e tij në turmë, “sepse kjo është detyrë e tij”.

Edhe ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç është shprehur në mënyrë të ngjashme, se “këshilltari i Ambasadës ka qenë aty për të parë nëse ka shtetas serbë të përfshirë në ato zhvillime”.

Ndërkaq, Zaev shpreson se shërbimet përkatëse do të japin përgjigje mbi rolin e agjentit serb në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit.

Raportet midis autoriteteve më të larta serbe dhe kryeministrit të mandatuar të Maqedonisë nuk shikohen si të mira, ngaqë ky i fundit kritikonte nëpër intervista presidentin e zgjedhur serb për një qasje nacionaliste dhe përpjekje për ndjelljen e frikës në Serbi pas asaj që po i ndodhte Maqedonisë me fitoren e social-demokratëve.

Vuçiç pati komentuar se Zaev po përzihej në punët e brendshme të shtetit fqinj.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, ndërhynë me dhunë në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill, pak pasi shumica parlamentare e përbërë nga Lidhja Social-demokrate dhe partitë politike shqiptare, zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit.

Disa deputetë u lënduan nga pasojat e dhunës, përfshirë udhëheqësin e Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG