Lidhje

Një prokuror i posaçëm për Maqedoninë


Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, të gjitha palët me peshë politike janë pajtuar që vendi të ketë një prokuror të posaçëm, i cili do të merrej me rastet e ndjeshme, siç janë skandali i përgjimeve, akuzat ndaj drejtuesit të opozitës dhe raste të ngjashme. Por, partitë nuk mund të merren vesh për kompetencat e përgjithshme të këtij prokurori. Vëzhguesit mendojnë se marrëveshja politike e 2 qershorit është e vështirë të realizohet në praktikë.

Prokuror i posaçëm për Maqedoninë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Përpjekjet e faktorëve politikë me ndërmjetësimin e ekspertëve të jashtëm për gjetjen e zgjidhjeve që dalin si detyrim i marrëveshjes së 2 qershorit mbi zgjidhjen e krizës politike, ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete.

Një nga sfidat e reformave është një prokuror i posaçëm, i cili do të merrej me skandalet, siç është ai i përgjimeve dhe akuzat ndaj drejtuesit të opozitës.
Disa nga vëzhguesit mendojnë se zgjidhjet politike në Maqedoni nuk zbatohen lehtë në praktikë.

Gazetari dhe botues Emin Azemi thotë se një mbikqyrje më rigoroze ka qenë gjithmonë e domosdoshme për legjislacionin në Maqedoni. Ai vëren se të gjitha deformimet e qeverisë të denoncuara nga opozita përmes skandalit të përgjimeve nuk arritën të procedohen në prokurorinë përkatëse, ndërsa e vlerëson si të drejtë nismën për miratimin e një prokurori të posaçëm:

“Unë jam shumë skeptik se do të mund të rezultojë me sukses një nismë e tillë nëse ai prokuror special nuk është ose me ndonjë ekip të kombinuar ndërkombëtar, ose një prokuror special ndërkombëtar. Këtë e them për arsye se në Maqedoni gjithshka është e partizuar dhe është vështirë që forcat politike të gjejnë një konsensus që të gjejnë një figurë, ndonjë emër apo kapacitet edhe profesional edhe etik që do të procesonte këto raste dhe gjithë këtë aferë të përgjimeve, përmes së cilës ne kemi parë se aty del ajo fytyra tjetër e pushtetit që qytetarët normal nuk po mund ta shohin. Dhe me një gjyqësi aq të partizuar dhe bllokadë aq të madhe të medias, e vërteta shumë vështirë depërton tek opinioni publik”, - thotë z. Azemi.

Ndërkohë, kapacitetet dhe përgjegjësitë e prokurorit të posaçëm janë çështje e diskutimeve politike në grupet e punës së katër partive kryesore në vend.

Zoti Azemi, nga ana tjetër sheh një mungesë të vullnetit politik tek të gjitha palët, por veçanërisht të pushteti dhe sëkëndejmi mendon se prokurori special vështirë të zgjidhet brenda afatit të paraparë që është muaji shtator.

Ai gjithashtu mendon se mund të ketë shtyrje edhe të zgjedhjeve të prillit të vitit të ardhshëm, ndërkohë që thotë se zgjedhjet e ardhshme nuk mund të mbahen pa pastrimin e regjistrit zgjedhor dhe reformat e nevojshme në këtë fushë:


“Maqedonia nuk mund të shkojë në zgjedhje pa një kod të ri zgjedhor, pa lista të reja zgjedhore, pra pa pastrimin e gjithë asaj që ka qenë turpi i demokracisë në Maqedoni, për shkak se këtu ka ndodhë që për deputet të gjallë të votojnë votues të vdekur, gjë që është e paimagjinueshme për një demokraci normale. Në këtë aspekt, mendoj se partitë e mëdha do të bëjnë çmos që ta ruajnë në një farë mënyre, paqen e brendshme, duke mos cënuar fuqinë elektorale të njërit apo të tjetrit”, - thotë Emin Azemi.

Emri i prokurorit të posaçëm dhe detyrat e tij vështirë se mund të caktohen këto ditë edhe përkundër ndihmës se ekspertëve ndërkombëtarë që po japin në bisedimet e grupeve të punës së partive. Pritet që bisedimet për këtë të vazhdojnë pas pushimeve verore të politikanëve.

XS
SM
MD
LG