Lidhje

Katica Janeva – prokurore e posaçme në Maqedoni


Prokurorja e posaçme, emërimi i së cilës u miratua nga parlamenti do të hetojë mes tjerash aferën e përgjimeve që çoi në krizën politike

Parlamenti i Maqedonisë me 108 vota e miratoi të martën në mbrëmje kandidaturën e zonjës Katica Janeva për prokurore të posaçme. Ndërkaq, natën vonë, edhe Këshilli i prokurorëve publik votoi njëzëri për prokuroren e re të posaçme.

Po ashtu, Parlamenti e miratoi ligjin për ndjekjen e veprave penale që ndërlidhen apo që dalin nga përmbajtjet e “ndjekjes së paligjshme të komunikimeve” sic e kanw cilwuar partitë kryesore politike atë që në opinionin publik njihet si skandali i përgjimeve.

Data 15 shtator ishte dita e fundit kur duhej zgjedhur prokurori i posaçëm, sipas marrëveshjes për t’i dhwnw fund të krizës politike.

Katica Janeva është prokurore në qytetin jugor të Gjevgjelisë. Nw postin e ri, atë e presin shumë punë.

Në radhë të parë, duhet të merret me hetimin lidhur me skandalin e përgjimeve, si dhe akuzat, nga ana tjetër, që e rëndojnë drejtuesin e opozitës maqedonase për përpjekjen e marrjes së pushtetit me dhunë. Ndërkohë, shqiptarët presin që çështjet si “Monstra”, e ndonjë tjetër, të jenë po ashtu pjesë e hetimeve të prokurores së posaçme. Në këtë proces, gjashtë shqiptarë u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzat për vrasjen e pesë maqedonasve në vitin 2012, ndërkohë që dëshmitë e prokurorisë nuk ishin bindëse jo vetëm për palën mbrojtëse, por dhe për një numër njohësish të rrethanave ligjore.

Prokurorja e posaçme do të ketë autonomi të plotë në veprimtarinë e saj; do të mund të zgjedhë vetë ekipin, përfshirë numrin e prokurorëve ndihmës, si dhe do të ketë një buxhet të hapur në dispozicion. Mandati i prokurorit të përgjithshëm do të jetë katër vjet, me të drejtë të rizgjedhjes.

Shtetet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian kanë përshëndetur arritjen e marrëveshjes për prokurorin e posaçëm në Maqedoni, duke e cilwsuar kwtw si një hap përpara drejt llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

Edhe opozita maqedonase edhe VMRO-ja në pushtet janë shprehur me vlerësime pozitive për zonjën Katica Janeva.

XS
SM
MD
LG