Lidhje

Zv/kryeministri i Kosovës Pacolli viziton Maqedoninë

  • Isak Ramadani

Zëvendës-kryeministri dhe ministër i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ishte të mërkuren për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku u prit nga drejtues të lartë shtetërorë. Zoti Pacolli dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov gjatë takimit mes tyre biseduan për thellimin e bashkëpunimit në më shumë fusha, me theks të veçantë në atë të ndërlidhjes infrastrukturore, energjisë, por dhe synimet drejt Bashkimit Evropian.
Z. Pacolli falënderoi Maqedonisë për, siç tha ai, angazhimet dhe ndihmën lidhur me qarkullimin e lirë të shtetasve të Kosovës. Ai gjithashtu tha se pret mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, Ministri i jashtëm maqedonas Dimitrov u shpreh se dy vendet “kanë marrëdhënie dhe komunikim të shkëlqyeshëm të ndërsjellë dhe një bashkëpunim ekonomik shumë të frytshëm, ndërkohë që mund të bëhet shumë më tepër në thellimin e këtij bashkëpunimi”.
Maqedonia është një shtet shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e proceseve në Kosovë dhe për sigurinë e saj. Ne presim mbështetjen e Maqedonisë për anëtarësim në UNESCO. Vetëm Kosova ka mbetur sot një vend, qytetarët e të cilit nuk lejohen të lëvizin lirshëm, por jam i bindur se kjo nuk do të zgjasë shumë. Shpresoj se viti 2018 do të jetë viti vendimtar kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm”, u shpreh Z. Pacolli.
Ministri maqedonas, Nikolla Dimitrov tha se dëshiron që viti i ardhëshëm të jetë “viti i Ballkanit”.
"Sa më shumë që punojmë së bashku drejt integrimeve evropiane, aq më tepër do të hapërojmë drejt BE-së”, tha kryediplomati maqedonas, duke shtuar se “në Ballkan nuk duhet të ketë anë të ndryshme dhe se nuk kemi alternativë tjetër përveç se të sillemi si evropianë dhe si aleatë”.
Dy zyrtarët e lartë qeveritarë të vendeve fqinje kanë rënë dakord për takimin e dy qeverive në një seancë të përbashkët me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës dhe transportit, si dhe për një sërë çështjesh të tjera.
Zv.kryeministri Pacolli u prit edhe nga kryeministri Zoran Zaev dhe nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi. Zoti Pacolli i ka shprehur kryeministrit maqedonas respektin për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Kryeministri Zaev është shprehur se qeveria e tij është e përcaktuar të ndërtojë raporte të mira me Kosovën dhe me të gjithë fqinjët e tjerë për të kontribuar në këtë mënyrë drejt të ardhmes së të gjithë rajonit të Ballkanit perëndimor në BE dhe NATO, sipas një komunikate nga zyra e kryeministrit maqedonas.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë qeveritar të Kosovës që i bën Shkupit pas ardhjes në pushtet të social-demokratëve në Maqedoni, në pranverën që e lamë pas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG