Lidhje

Intervistë me studiuesin Mal Berisha


Monografi për misionarin amerikan Charles Telford Erickson

Studiuesi Mal Berisha sapo ka botuar një libër me 3 vëllime mbi jetën dhe veprat e misionarit amerikan, Charles Telford Erickson. Ai ka patur një ndikim të madh në jetën e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar. Erikson ka komunikuar rregullisht me presidentin amerikan Udrou Uillson gjatë periudhës më të vështirë, kur rrezikohej ekzistenca e shtetit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Mal Berisha! Ju sapo keni përfunduar një studim mbi jetën dhe veprat e Çarls Telford Eriksonit, një veprimtar i çështjes shqiptare, edhe pse amerikan. Ai ka punuar në Shqipëri, Angli dhe në SHBA, një pjesë kohe i lidhur me organizatën “Vatra”. Çfarë ju tërhoqi tek ky personazh, i cili ka dhënë ndihmesën e vet për pavarësinë dhe për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë?

Mal Berisha: Erikson i ka kushtuar një jetë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Erdhi në vigjilje të pavarësisë në vitin 1908 bashkë me familjen me tre fëmijë, jetoi një vit në Tiranë dhe tre vjet në Elbasan dhe i kushtoi tërë jetën e vet 99 vjeçare, Shqipërisë deri në vitin 1966. Kjo vepër është një pasqyrim i plotë i bëmave të tij në dobi të Shqipërisë, i letrave që u ka shkruar gjithë presidentëve amerikanë në rrjedhë të viteve gjatë jetës së tij, qyshkur erdhi në Shqipëri. Këtu është përfshirë edhe një përmbledhje e pesë veprave të tij të shkruara për shqiptarët, që fillojnë me luftën e Trojës dhe praninë pellazge aty, deri tek njeriu që ai e admironte shumë dhe që ishte mbreti Ahmet Zogu.



Zëri i Amerikës: Çfarë e tërhoqi atë nga Shqipëria, si u lidh ai kaq fort me Shqipërinë?

Mal Berisha: Në të vërtetë ai erdhi si misionar fetar. Duket si e rastësishme, por misionarët amerikane të kishës presbiterane kishin filluar qysh prej vitit 1830 të ishin të pranishëm në Perandorinë Osmane, ku bënte pjesë edhe Shqipëria në atë kohë. Por sapo ra në kontakt me patriotë të tillë si Aqif pashë Elbasani, Lef Nosi e shumë të tjerë, Erikson u dashurua jashtëzakonisht shumë pas këtij vendi dhe admiroi gjithë virtytet e kombit shqiptar. Në veprat e tij gjenden vlerat më të mëdha të këtij kombi. Nga misionar ai u kthye në një historian, ai u bë një diplomat i famshëm për shqiptarët. Në veprat e tij ai e kualifikon kombin shqiptar si një nga kombet që i ka dhënë më shumë figura njerëzimit.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të na tregoni lidhur me përpjekjet në SHBA të Eriksonit për çështjen shqiptare dhe me marrëdhëniet e tij me presidentin amerikan të asaj kohe, Uillson?

Mal Berisha: Korrespondenca e tij me presidentin Uillson nuk është një rastësi. Në vitin 1912 ai largohet forcërisht nga Shqipëria. Në çastin kur Shqipëria sapo u pavarësua nga patriotët shqiptarë me në krye Ismail Qemalin, dihet se korridori serb për në Durrës bëri atë që Shqipëria të pushtohej deri në Elbasan nga forcat serbe. Ata e përzunë Eriksonin “si armik i betuar i Serbisë dhe si mik i betuar i shqiptarëve”; me këtë motivacion është larguar nga Shqipëria me vendim gjyqësor ushtarak në Durrës në mesin e dhjetorit 1912. Por ai asnjëherë nuk u shkëput nga Shqipëria. Vazhdoi të shkruante për çështjen e saj nëpërmjet gazetës “Economist” të Londrës. Në vitin 1919 ai gjendej drejtor i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në zonën jugore të Italisë, e cila atë kohë vuante nga një uri masive. Por në çastin që ai kishte një punë kaq të mirë, organizata jonë “Vatra” i kërkon atij nga Bostoni që t’i bashkangjitet delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ai menjëherë lë çdo gjë dhe i bashkohet delegacionit tonë, i cili drejtohej nga Turhan Pasha dhe përbëhej nga imzot Bumçi, Lef Nosi dhe Mikael Turtulli.

Është një fakt historik i pathënë deri sot që afiliteti dhe ndjeshmria e madhe e presidentit Uillson ndaj çështjes kombëtare shqiptare u rrit në një masë të jashtëzakonshme për shkak të letrave që Eriksoni arrinte t’ia fuste në tavolinë çdo ditë nëpërmjet zonjës së tij, Edit Uillson, e cila kishte punuar bashkë me të për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Korrespondenca e tyre lidhur me çështjen shqiptare dhe letrat që vetë presidenti Uillson i ka kthyer delegacionit shqiptar janë nga dokumentat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë për konsolidimin e shtetit shqiptar, çka i parapriu antarësimit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Zëri i Amerikës: Është një rast i rrallë ky që një personazh i huaj t’i motivojë ose t’i edukojë shqiptarët në ndjenjat e tyre patriotike. Shqiptarët zakonisht janë mësuar që të frymëzohen nga rilindasit e tyre ose nga burrështetasit e tyre…

Mal Berisha: Nëse disa breza shqiptarësh u frymëzuan nga poemat e mrekullueshme të Naim Frashërit dhe të Vaso Pashës për rritjen e krenarisë kombëtare të shqiptarëve, unë u rekomandoj të gjithë lexuesit që kanë mundësi të bien në kontakt me këtë libër të mësojnë se si Çarls Telford Eriksoni e vuri si qëllim të jetës së vet rritjen e nacionalizmit, krenarisë dhe individualitetit të shqiptarëve, për shkak të historisë së mrekullueshme që ne kemi dhe që ai e ka evidentuar me fakte historike, referuar në dokumentat më serioze të bibliotekave të Stambollit, Romës, të British Museum, të Athinës dhe të Uashingtonit.

Zëri i Amerikës: Po misioni i tij si fetar? Ai jetoi në Tiranë, në Elbasan dhe ndërtoi një shkollë në Kavajë, atëherë qytete me prani të gjerë muslimane…

Mal Berisha: Ai erdhi si misionar, por qysh në fillim ai e pa që gjëja më e pakët, për të cilën shqiptarët kishin nevojë në atë kohë ishte të merreshin me punët e fesë. Kështu që ai u kthye në një historian, në një diplomat. Në vitin 1922 ai ishte antar dhe punonjës në Legatën amerikane, qysh në stafin e parë të amerikanë në Tiranë. Pastaj e shohim me një shkop në dorë me një kompani amerikane që kërkon naftë fushave deri në Tepelenë dhe Mallakastër. Pastaj hapi shkollën bujqësore të Kavajës, e cila për fat të mirë ekziston edhe sot, dhe me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë i vunë emrin e tij, si themelues i asaj shkolle. Pastaj e shohim që e merr dekoratën nga Mbreti Zog “Kalorësi i Artë i Skënderbeut” dhe në vitin 1937 ai ka qenë i ftuar i nderit midis miqve më të nderuar të Shqipërisë ne festimet e famshme të 25 vjetorit të pavarësisë. Dëshiroj të përmend se në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kemi arritur të kontaktojmë me nipërit e tij, prindërit e të cilëve kanë lindur ose kanë jetuar në Elbasan nga viti 1908 deri në vitin 1912 bashkë me gjyshin e vet. Ata ishin pjesë e këtyre festimeve të 100 vjetorit; Pol Erikson, Donald Xhonson dhe Meri Alise Morrison.

Zëri i Amerikës: Si studiues dhe diplomat, sa ka ndikuar Çarls Eriksoni në përpjekjet dhe në angazhimet tuaja profesionale? Çfarë shënon ky njeri në jetën dhe në punën tuaj?

Mal Berisha: Librat e Eriksonit, përveç dokumentave që përbëjnë biografinë, në çdo kapitull kanë një thënie të tij për shqiptarët. Sa herë që i kam nxjerrë ato citate nga veprat e tij të pabotuara, dhe sa herë që i lexoj tani, mua më bëjnë më krenar nga ç’kam qenë më përpara. Është krijuar një ndërlidhje midis këtij personaliteti shumë të madh që ka punuar për Shqipërinë dhe edukimit që ai më ka bërë mua si shqiptar, si diplomat, si patriot, si një qytetar që e dua këtë vend. Kur mësova se sa shumë e deshi ky njeri Shqipërinë, unë them se ne shqiptarët duhet ta duam shumë herë më shumë.
XS
SM
MD
LG