Lidhje

Viktimat e avionit malajzian


Një tren me trupat e rreth 300 njerëzve të vrarë në rrëzimin e aeroplanit të kompanisë Malaysia Airlines mbërriti në qytetin Kharkiv të Ukrainës lindore.

Treni mbërriti të martën nga qyteti i Torez, i cili është nën kontrollin e forcave rebele pro-ruse. Trupat do t’i dorëzohen Holandës, vendit që ka humbur numrin më të madh të njerëzve nga rrëzimi i avionit.

Mbërritja e trupave vjen disa orë pasi rebelët në Ukrainën lindore i dorëzuan kutitë e zeza ekspertëve malajzianë të aviacionit. Transferimi ndodhi në qytetin e Donetskut, disa orë pasi kryeministri malajzian Najib Razak bisedoi në telefon me udhëheqësin e rebelëve Aleksandër Borodai.

“Ne, qytetarët e Republikës Popullore të Donetskut kemi vendosur t’ia japim kutitë e zeza autoriteteve malajziane dhe ekspertëve të tyre, pa marrë parasysh faktin se disa ekspertë janë të pranishëm këtu dhe të tjerë do të vijnë,” tha Borodai.

Një hetues malajzian tha se kutitë kishin pësuar disa dëmtime, por ishin në gjendje të mirë.

Dje, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë ku dënohet rrëzimi i avionit në Ukrainë. Rezoluta kërkonte gjithashtu që rebelët pro-rusë të cilët kontrollojnë vendin e rrëzimit të avionit të lejojnë qasje të sigurtë dhe të pakufizuar të zonës.

“Kurrë nuk do ta kuptoj se pse u desh aq shumë kohë të lejoheshin punëtorët e shpëtimit të bënin punën e tyre të vështirë, dhe se pse trupat e njerëzve u përdorën për lojë politike – nëse dikush këtu flet rreth një loje politike, kjo pra është loja politike që është luajtur me trupat e njerëzve dhe është e neveritshme,” tha ministri i Jashtëm holandez, Timmerman.

“Ne mirëpresim mbështetjen e Rusisë për rezolutën e sotme, por asnjë rezolutë nuk do të ishte e nevojshme nëse Rusia do të kishte përdorur ndikimin e saj me separatistët të enjten, duke i bindur të ulin armët dhe t’ia lënë vendin ekspertëve ndërkombëtarë,” tha ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Samanth Power.

Zyrtarët në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian thonë se avioni u qëllua nga një raketë tokë-ajër ndërsa po fluturonte mbi Ukrainën lindore të enjten me 298 udhëtarë në bord.

Presidenti Barack Obama tha dje se “barra është tani mbi Rusinë” që ajo të ndalë dëmtimin e provave nga separatistët, dhe që hetuesve në terren “t’u jepet qasje e menjëhershme, e plotë, dhe e papenguar në vendin e rrëzimit.”

XS
SM
MD
LG