Lidhje

Bruksel, BE-ja organizon takim për Malin


Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rreth 45 shteteve u takuan sot në Bruksel për të koordinuar përpjekjet për stabilizimin e Malit. Temat e takimit përfshijnë edhe vlerësimin e arritjeve pas dërgimit të trupave afrikane në vendin e Afrikës perëndimore, ku forcat franceze, me ndihmën e ushtrisë së Malit, janë duke u përpjekur të marrin kontrollin e veriut nga xhihadistët.

Konferenca për Malin u organizua nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet në bashkëpunim me OKB-në, Bashkimin Afrikan, dhe Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore.

Së bashku me vlerësimin e arritjeve pas dërgimit të trupave afrikane, në konferencë do të diskutohet gjithashtu për situatën humanitare, mënyrat për të stabilizuar qytetet e sapo marra, si Gao dhe Timbuktu, për mbështetjen ndaj rikthimit të rendit kushtetues në vend, si dhe për mundësitë e ndihmës për bashkimin e grupeve etnike, fetare dhe politike të Malit.

Ministri i Jashtëm i Malit, Tieman Hubert Coulibaly, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të "bashkohet" për të ndihmuar Malin.

"Natyrisht, ne e kuptojmë që i shkaktojmë probleme popullatës sonë dhe ndjejmë keqarrdhje për ata që humbën jetën. Për këtë na vjen shumë keq, por duhet ta lirojmë territorin tonë nga forcat rebele islamike."

Së bashku me zyrtarë të Malit, mes pjesëmarrësve janë edhe përfaqësues të disa vendeve të rajonit, Bankës Botërore, dhe të disa vendeve të BE-së.
Michael Mann, zëdhënës i Shefes së Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, tha se BE-ja është optimiste lidhur me përmirësimin e situatës.

"Para së gjithash, operacioni i drejtuar nga ushtria e Malit dhe ajo franceze duhet të përfundojë. Duhet të shkojmë atje me misionin për të trajnuar ushtrinë e Malit, duhet të fillojnë me ndihmën për zhvillimin e Malit, por gjëja më e rëndësishme është rifillimi i procesit politik nga ana e popullit të Malit."

Këshilli i Paqes dhe Sigurisë i Bashkimit Afrikan i ka bërë thirrje Presidentit të Malit, Dioncounda Traore, të përgatisë një plan për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.
Në një takim të mëparshëm për Malin, javën e kaluar, 17 vende pjesëmarrëse njoftuan angazhimin e tyre për një mision të BE-së prej 500 vetësh që do të dërgohen për të trajnuar ushtrinë e Malit. Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i dytë rreth këtij misioni.
XS
SM
MD
LG