Lidhje

Franca vazhdon sulmet ajrore në Mali


Kryeministri Jean Marc Ayrault tha se Franca po mbështet forcat qeveritare që po përpiqen të ndalin avancimin e ekstremistëve islamikë

Në Mali, sulmet ajrore të Francës i detyruan të largohen nga qyteti Konna militantët islamikë, të cilët morën kontrollin e qytetit. Kryeministri i Francës Jean Marc Ayrault tha sot se forcat franceze i vazhduan edhe sot sulmet ajrore në Mali në mbështetje të forcave të qeverisë që po përpiqen të ndalin avancimin e ekstremistëve islamikë.

Militantët islamikë morën javën e kaluar kontrollin e qytetit Konna dhe sulmet ajrore franceze i detyruan ata të tërhiqen. Një reporter nga Mali i tha sot Zërit të Amerikës se dhjetra luftëtarë islamikë janë vrarë gjatë operacionit ushtarak. Ndërsa Ministri francez i Mbrojtjes tha se një pilot helikopteri u vra gjatë sulmit ajror që filloi dje.

Grupi militant Ansar Dine, me lidhje me Al Kaidën ju përgjigj sulmeve, duke e kërcënuar Francën me raprezalje.

Ndërkohë, organizata rajonale ECOWAS, ku bëjnë pjesë vendet e Afrikës Perëndimore, autorizoi dislokimin e menjëhershëm të një numri më të madh trupash afrikane në Mali. Burkina Faso dhe Nigeri thanë se do të çojnë secili nga 500 trupa në misionit kundër forcave militante islamike në Mali. Në dhjetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një plan që shtetet e Afrikës Perëndimore të dislokojnë të paktën 3 mijë trupa në Mali, për të ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë dhe për të rimarrë kontrollin e veriut të vendit. Megjithatë, asnjë prej këtyre trupave nuk pritet të mbërrijnë atje para muajit shtator.

Franca njoftoi dje se kishte vendosur trupa në Mali, me kërkesën e qeverisë. Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes zëdhënëses Viktoria Nuland se Shtetet e Bashkuara janë duke u konsultuar nga afër me qeverinë franceze.
XS
SM
MD
LG