Lidhje

Anëtarësimi në NATO i Malit të Zi


Gjatë një vizite në Malin e Zi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se në muajin dhjetor, NATO do të vendosë nëse do ftojë Malin e Zi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Podgoricë se bisedimet mes NATO-s dhe Malit të Zi për anëtarësimin e këtij vendi në aleancë ndodhen në një fazë kritike.

“Jemi të gatshëm të marrim vendimin deri në fund të këtij viti gjatë ministerialit në muajin dhjetor. Jemi pra, në një fazë kritike. Është e rëndësishme që Mali i Zi të ndërmarrë hapat e nevojshme për të demonstruar se është i gatshëm të bëhet një vend anëtar i aleancës.”

Mali i Zi ka qenë në negociata me NATO-n për çështjen e anëtarësimit që në vitin 2010. Në mars 2014, kryeministri malazez Gjukanovic shprehu gatishmërinë e Malit të Zi për t’iu bashkuar aleancës.

Forcat e armatosura të Malit të Zi kanë filluar të kontribuojnë në operacionet ushtarake të NATO-s. Nën komandën gjermane në Aghanistan, Mali i Zi ka dërguar në vitin 2010, 40 ushtarakë dhe tre mjekë.

Kryeministri Gjukanovic u shpreh optimist.

“Vlerësimi ynë i përbashkët është se ndërveprimi intesiv diplomatik ka rezultuar në një botëkuptim më të mirë të synimeve dhe aspiratave të Malit të Zi për të marrë një ftesë anëtarësimi në NATO deri në fund të këtij viti. Një mirëkuptim i tillë nga vendet anëtare të NATO-s u shfaq edhe gjatë ministerialit të fundit në Antalia.”

Përpara se të shpallte pavarësinë në qershor 2006, Mali i Zi ishte në vitin 1999 pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë, dhe u bë objekt i sulmeve ajrore të NATO-s gjatë luftës së Kosovës. Zoti Stoltenberg kërkoi ndjesë për jetët e humbura të civilëve të pafajshëm.

“Humbja e jetëve të pafajshme në vitin 1999 ishte një tragjedi, dhe më vjen thellësisht keq për këtë. Dua të ofroj ngushëllimet e mia për familjet që humbën të dashurit e tyre në vitin 1999.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vlerësoi proçesin e zgjerimit të aleancës si një histori suksesi që ka sjellë stabilitet dhe siguri në Evropë.

XS
SM
MD
LG