Lidhje

Malloch-Brown, rebelimet në Lindjen e Mesme ishin të vonuara


Malloch-Brown, rebelimet në Lindjen e Mesme ishin të vonuara
Malloch-Brown, rebelimet në Lindjen e Mesme ishin të vonuara

Mark Malloch-Brown është angazhuar në çështje ndërkombëtare prej më shumë se 30 vjetësh. Ish gazetari, tani ekonomist, ka qenë nënpresident i Bankës Botërore para se të emërohej nën sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe shef personeli në kohën e Kofi Ananit. Në atë post, ai tërhoqi vemendjen veçanërisht me kritikat e tij të hapura ndaj politikës së administratës Bush lidhur me Irakun dhe me atë që ai e quajti kritika pa kriter ndaj OKB-së. Gjatë një vizite këtu në Uashington për të reklamuar librin e tij me titull "Revolucioni i papërfunduar global", Malloch-Brown komentoi mbi rebelimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Miliona demonstrues mbushën kohët e fundit rrugët e Kairos dhe qyteteve të tjera të botës arabe, duke bërë thirrje kundër korrupsionit, pabarazisë dhe mungesës së lirisë.

Mark Malloch-Brown, ish nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së, thotë se kjo valë rebelimesh duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë.

"Ekonomia nuk po krijonte vendet e punës që kërkonin të rinjtë e frymëzuar të botës arabe. Ndonëse ky ishte një mesazh i madh popullor, që përfshiu një pjesë të madhe të popullsisë në botën arabe, shumicës së udhëheqjeve arabe nuk i erdhi mirë që Kombet e Bashkuara u bashkuan me kritika të tilla".

Protestuesit kërkojnë më shumë zë në jetën e tyre. Demokracia, thotë Malloch-Brown, është shpesh parakusht i zhvillimit ekonomik.

"Në shumë vende, zhvillimi i sukseshëm ekonomik është i lidhur me demokracinë. Në qoftë se të varfërit nuk kanë zë dhe të drejtën e votës në çështjet e vendit, ata nuk përfitojnë njëlloj nga sunduesit e vendit të tyre".

Dhe pikërisht këtu bëhet i domosdoshëm roli i komunitetit ndërkombëtar, i cili, thotë Malloch-Brown, duhet të ndihmojë qytetarët e disa vendeve të ndërtojnë sisteme politike më demokratike.

"Mendoj se është shumë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojë në këtë aspekt. Kjo duhet bërë me një ndjenjë modestie dhe respekti, që pranon faktin se për vite të tëra komuniteti ndërkombëtar qëndroi në anën e stabilitetit dhe jo të demokracisë. Ne duhet të ndihmojmë në aspektin teknik dhe t’u bëjmë të mundur egjiptianëve, tunizianëve dhe të tjerëve të ndërtojnë demokracitë e tyre".

Malloch-Brown thotë se kalimi në demokraci është i vështirë.

"Në shumicën e rasteve ajo që i bashkon njerëzit në fillim është armiku i përbashkët, regjimi i Mubarakut për shembull, që ata nuk e donin më. Të gjitha këto grupe kanë pikëpamje të ndryshme politike dhe ekonomike. Mendoj se do të duhet kohë që të hartohet një kushtetutë e mirë. Do të duhet kohë që të formohen partite politike dhe që zgjedhjet të nxjerrin atë lloj rezultati, që do të bënte të mundur ardhjen në pushtet të një qeverie të forte reformiste me një mandat të qartë demokratik".

Dhe kjo është pikërisht prova e vërtetë për protestuesit në Lindjen e Mesme, të cilët duan të ndryshojnë regjimin ose e kanë arritur tashmë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG