Lidhje

Gjykatësi i çështjes Manafort thotë se e kanë kërcënuar


Gjykatësi që po shqyrton çështjen e ish manaxherit të fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort, thotë se e kanë kërcënuar dhe se aktualisht, ai po mbrohet nga njesitë speciale të organeve të rendit:

Gjyaktësi T.S. Ellis nuk i ka pranuar kërkesat e medias për të publikuar emrat e anëtarëve të jurisë, duke theksuar shqetësimet për sigurinë. Juria prej 12 anëtarësh i vazhdoi diskutimet të premten për të dytën ditë rresht, ndërsa Presidenti Trump u shpreh se gjyqi ndaj zotit Manafort “është për të ardhur keq”.

“Është një ditë e trishtuar për vendin tonë. Ai ka punuar për mua për një kohë shumë të shkurtër. Por ai është njeri i mirë. Mendoj se është për të ardhur keq ajo që kanë bërë ndaj zotit Paul Manafort”.

Presidenti u pyet rreth mundësisë së faljes për 69 vjeçarin Manafort, por ai nuk pranoi të përgjigjej. Juria e përbërë nga gjashtë burra dhe gjashtë gra filloi diskutimet pas dyerve të mbyllura të enjten, në një gjykatë në shtetin Virxhinia. Juria i drejtoi gjykatësit katër pyetje, mes të tjerash, që të sqaronte kuptimin e fjalës “dyshim i arsyeshëm”.

Në bazë të ligjit amerikan, fajësia e të akuzuarit duhet të provohet bazuar në fakte të besueshme, ose përndryshe nuk do të ketë dënim. Pyetjet e tjera të jurisë kishin të bënin me detaje specifike lidhur me rastin e evazionit fiskal dhe mashtrimeve financiare.

Akuza dhe pala mbrojtëse të mërkurën paraqitën argumentet mbyllëse. Prokuroria argumentoi se jeta luksoze e zotit Manaforti ishte "e mbushur me gënjeshtra". Prokurori Greg Andres i tha jurisë se "Paul Manafort gënjente në mënyrë që të fitonte sa më shumë para".

Por avokati mbrojtës i zotit Manafort, Richard Westling, tha se qeveria nuk arriti të provojë që zoti Manaforti ishte "fajtor bazuar tek fakte të besueshme”, që është standardi për t’u dënuar sipas sistemit ligjor amerikan.

Avokati Westling tha se kjo ishte arsyeja që pala mbrojtëse vendosi që të mos thërresë asnjë dëshmitar për çështjen, përfshirë vetë zotin Manafort.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG