Lidhje

Mandatet e deputetëve sipas variantit të 2009


Parlamenti shqiptar mori sot vendimin vetëm me votat e shumicës së djathtë. Socialistët: “Po shkelet kushtetuta dhe Kodi”. PD: “Donit të bllokonit KQZ”

Në Shqipëri parlamenti vendosi sot vetëm me votat e shumicës së djathtë që të lerë në fui ndarjen e mandateve të vitit 2009 edhe për zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Opozita socialiste e kundërshtoi me forcë duke kërkuar deri në momentet e fundit që të gjendej një zgjidhje kompromisi. Por sipas shumicës e gjitha ishte një lojë e së majtës e cila kishte blokuar vendimmarrjen në Komisionin qëndror të zgjedhjeve



Pavarësisht debateve të shumta që e shoqëruan, cështja e ndarjes së mandateve për zgjedhjet e 2013, pati fundin e parashikuar. Socialistët edhe sot kundërshtuan marrjen e një vendimi nga ana e parlamentit, duke shpjeguar se më këtë akt po bëheshin sipas tyre një sërë shkeljesh, duke nisur nga kushtetuta por dhe Kodi. “Neni 76 pika 2 i Kodit zgjedhor thote “Kqz kryen llogaritjen e mandateve dhe ja dërgon menjëherë parlamentit”. Na e jipni. Ku është? Neni tjeter 76 pika 3 “Numri i mandatave për cdo zonë zgjedhore nuk rishikohet vetëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme”. Ne sot cfare po bëjmë? Nuk po rishikojmë mandatet”, tha kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci.

Zoti Ruci tha se nuk ka asnjë vendim të Komisionit qëndror të zgjedhjeve që t’i kërkojë parlamentit ndarjen e mandateve duke shtuar se shkresa e dërguar nga sekretarja e KQZ është sipas tij e pavlefshme pasi sipas Kodit, komisioni përfaqësohet nga kryetari i tij.

Debati për ndarjen e mandateve nisi që nëntorin e shkuar. Zyra e gjendjes civile i dërgoi shpërndarjen e re demografike komisionit, sipas së cilës Tiranës dhe Durrësit do të duhej t’i shtohej një mandat deputeti, që do t’i zbritjes Korcës dhe Beratit ose Kukësit. Socialistët hodhën dyshime mbi manipulimin e të dhënave në Kukës, dhe në Komisionin qëndror nuk u arrit të merrej nje vendim.

Kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi bëri përgjegjës socialistët për situatën e krijuar:

"Ky projekt nuk u miratua kurrë sepse përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kryejnë detyrimin e tyre ligjor për shkak të urdhërit politik. Vetë PS nuk e ankimoi asnjëherë cëhstjen në kolegj, duke i mbyllur rrugën cdo shqyrtimi tjetër dhe po sipas kodit zgjedhor cëhstja i kaloi parlamentit i cili në cdo rast thotë fjalën e fundit”.

Sipas zotit Patozi opozita po kërkon të gëlltisë atë që refuzoi më parë, dhe se e gjitha kjo sipas tij bëhet për lojëra politike.

“Nuk është problem i Kodit pse Edi Rama humb gjithmonë, dhe as përgjegjësi e KQZ pse PS nuk kalon klasën. Ky parlament e ka deleguar me vullnet të plotë konsensual administrimin e zgjedhjeve të një institucion tjetër. Mos e bllokoni atë njësoj si statusi dhe pastaj të ankoheni se parlamenti po i merr kompetencat”.

Socialistët kërkuan që parlamenti të mos e merrte sot vendimin dhe që palët të uleshin për një kompromis: “Ta lëmë debatin këtu. Të mos e votojmë sot. Të vazhdojmë sic kemi patur të gjithë precedentët parlamentar, që ju në emër të PD unë në emër të PS apo komisioni përkatës me përfaqësuesit tanë në KQZ apo kudo që ju të doni, për ndarjen e mandateve, të gjejmë dhe të përafrojmë qëndrimet tona politike në zbatim të plotë të kushtetutës dhe Kodit”.

Por kërkesa e zotit Ruci nuk u morr parasysh. Me votat e saj shumica la në fuqi skemën e ndarjes së mandateve të vitit 2009, duke lënë të hapur një burim të ri polemikash.
XS
SM
MD
LG