Lidhje

Fillon në Maqedoni stërvitja ushtarake "Dragon Guardian"

  • Isak Ramadani

Në Maqedoni ka filluar stërvitja ushtarake ”Dragon Guardian”, ku po marrin pjesë treqind ushtarë amerikanë. Kjo është pjesë e ndihmës amerikane dhe të NATO-s për përgatitjen e ushtrisë së Maqedonisë për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike. Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por vendi është bllokuar për shkak të vetos së Greqisë lidhur me problemin e emrit.

Pjesëtarë të ushtrisë amerikane ndodhen në Maqedoni, në kuadër të stërvitjes Dragon Guardian 2017, që do të mbahet në poligonin ushtarak Krivollak në Maqeoninë qendrore, ndërsa ushtarët amerikanë po bëjnë dhe prezentimin e pajisjeve ushtarake nëpër disa qytete të Maqedonisë.

Po ashtu, në sheshet e qyteteve, para qytetarëve bëhen simulime të sulmeve dhe vetëmbrojtes së ushtarëve amerikanë dhe maqedonas.

Në stërvitjen “Dragon Guardian” janë të pranshëm treqind pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane. Ata kanë mbërritur në Maqedoni përmes Bullgarisë.

Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Sheqeriska tha se me këtë stërvitje forcohet bashkëpunimi edhe ashtu i mirë midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe forcave të armatosura të dy vendeve.

Ajo shprehu bindjet se stërvitja do të forcojë mundësitë dhe dijen e ushtatarëve të Maqedonisë dhe do ta afrojë vendin drejt kritereve të larta të partnerit të saj, që janë SHBA.

Ambasadori amerikan Jess Baily nënvizoi angazhimin e pjesëtarëve të ushtrisë së Maqedonisë në misionet në Afganistan dhe Irak, për çka tha se kanë luftuar krah për krah me ushtarët amerikanë. Ambasadori vuri në dukje përkushtimin e ushtarëve nga Maqedonia gjatë mbrojtjes së ambasadës amerikane në Kabul në vitin 2011.

“Stërvitja e përbashkët e afron Maqedoninë drejt Natos, ndërsa anëtarësimi në Nato nuk është diçka për të cilën vetëm flitet. Me anë të stërvitjeve dhe operacioneve të mbështetura nga Nato ne ndihmojmë Maqedoninë që të përgatitet për anëtarësimin e saj në aleancë”, tha zoti Baily.

Qeveria e Maqedonisë shpreson se vendi do të mund të anëtarësohet në Aleancën Veriatlantike me referencën e njohur ndërkombëtarisht që është FYROM, shkurtesë për Republikën Ish-Jugosllave të Maqedonisë, të imponuar nga Greqia fqinje për shkak të një territori në veri të saj të quajtur Maqedoni.

Ky problem që zgjat më shumë se 25 vjet ka bllokuar aspiratat e Maqedonisë drejt integrimeve euro-atlantike, për shkak të ndikimit dhe vetos greke.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG