Lidhje

Avokati i Popullit i shqetësuar për gjendjen e burgjeve në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti tha sot se gjendja nëpër burgjet e vendit ishte çnjerëzore, se kapaciteti i burgut të Shkupit ishte dyfish i mbingarkuar. Ai theksoi shqetësimet për shkak të përdorimit të drogës në burgje dhe dukurisë së korrupsionit. Ndërkohë, gjendja nuk është më e mirë as nëpër qendrat e pranimit të imigrantëve dhe refugjatëve, sipas zotit Mehmeti.

Avokati i Popullit në Maqedoni drejtoi të marten kritika të ashpra ndaj autoriteteve shtetërore për shkak të kushteve johumane, siç tha, nëpër burgje dhe qendra të tjera të pranit të refugjatëve apo stacione të policisë.

Një ekip ekspertësh i paguar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë pesëdhjetë vizita nëpër institucione ku liria e lëvizjes është e kufizuar, përkatësisht në katër burgje, tetë stacione të policisë, një institucion publik për kujdesin shëndetësor dhe dhjetra vizita nëpër qendrat për pranimin e imigrantëve apo refugjatëve.

Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, duke paraqitur raportin vjetor para mjeteve të informimit, i përshkruajti kushtet, sidomos në burgun e Idrizovës së Shkupit, si tepër të vështira, madje poshtëruese, siç u shpreh:

“Dhe i nënshtrohen trajtimit johuman dhe nënçmues. Me qëllim që të bindeni në lidhje me shqetësimet tona vite me radhë, vendosa që këtë raport ta prezantoj përmes fotografive të bëra nëpër vendet që kemi vizituar”, tha z. Mehmeti.

Ai bëri të ditur në një repart të burgosurit ose të arrestuarit mbahet në mënyrë të jashtligjshme më gjatë se tridhjetë ditë në kushte poashtu johumane:

“Nuk qëndrojnë më tepër se tridhjetë ditë vetëm ata persona të cilët kanë mundësi të paguajnë shuma marramendëse, pra t’i korruptojnë të punësuarit dhe të kalojnë në repartin tjetër”, theksoi Mehmeti.

Avokati i popullit tha se kapaciteti i pranimit të të burgosurve në burgun e Idrizovës është mbingarkuar dyfish, ndërsa gjendjen e cilësoi si alaramante edhe nëpër reparte të tjera, duke lënë të kuptohet se atje mungojnë dritaret ndërsa të burgosurit flenë nëpër krevate pa dyshekë.

Ai poashtu njoftoi se policia maqedonase ka ndërhyrë në qendrën e pranimit në Tabanoc afër kufirit me Serbinë prej nga ka deportuar për në Greqi tetëmbëdhjetë refugjatë të vendeve të Lindjes së Mesme.

Ministria e Drejtësisë e as autoritetet e burgjeve dhe qendrave të tjera nuk kanë bërë shpjegime në lidhje me kritikat e forta të Avokatit të Popullit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG