Parlamenti i Maqedonisë me dy të tretat e votave zgjodhi të mërkuren anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke zhbllokuar procesin e pritshëm të shpalljes dhe organizimit të referendumit në vjeshtë.
Komisioni ka një përbërje politike; atë do ta drejtojë Oliver Derkovski, i VMRO-DPMNE-së konservatore të opozitës. Kjo parti do të ketë edhe një anëtar tjetër në KSHZ, Elizabeta Apostolovska. Ndërkohë, nënkryetari i këtij organi do të jetë Ditmire Shehu e Bashkimit Demokratik për Integrim. Lidhja Social Demokrate do të ketë tre anëtarë: Boris Kondarko, Janakie Vitanovski dhe Radica Ristevski, ndërsa “Besa” e Bilall Kasamit përfaqësohet me Enver Salihin.
Ligjvënësit miratuan Kodin zgjedhor, që lë anash ekspertët në drejtim të KSHZ-së siç ishte në mandatin e kaluar. Anëtarët e tij janë eksponentë të partive kryesore politike të pushtetit dhe opozitës.
Këto vendime pasojnë marrëveshjen e pjesëshme të drejtuesve të katër partive kryesore. Parlamenti miratoi edhe ndryshimet në ligjin mbi Qeverinë dhe ligjin mbi financimin e partive politike.
Kështu, para çdo cikli zgjedhor do të formohet Qeveri teknike ku kryeministri do të largohet dhe në vend të tij do të vijë një tjetër kryeministër nga po e njëjta parti politike, ndërsa opozita do të ketë ministra dhe zëvendësministra me të drejtë vetoje. Qeveria teknike do të funksionojë mbi parimin e marrëveshjes së Përzhinës të para tre vjetëve, të arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Megjithatë, pushteti dhe opozita ende janë larg një marrëveshjeje për referendumin mbi ndryshimin e emrit të Maqedonisë, që duhet të mbahet në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Opozita maqedonase duket se e kushtëzon pëlqimin për të thërritur përkrahësit që të dalin në referendum me një amnisti të ish-kuadrove të saj udhëheqëse të dënuar ose akuzuar për veprimtari të paligjshme, skandale korruptive dhe dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në parlament.
Rezultati pozitiv në referendum është kusht për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në në qershor të vitit të ardhëm dhe për integrimin e këtij vendi në NATO.
Facebook Forum