Qeveria e Maqedonisë ka miratuar draftin mbi përdorimin e gjuhëve, me të cilin zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Ligjin pritet ta miratojë Parlamenti. Kryeministri Zoran Zaev tha se ligji për gjuhët është pjesë e konceptit të Maqedonisë si një shtet i të gjithë qytetarëve, dhe se vendi nuk rrezikohet nga përdorimi i gjuhëve të komuniteteve.
Projektligji për përdorimin e gjuhëve pritet t’i kalohet parlamentit me një procedurë të shpejtuar për debat dhe miratim.
Propozimi thekson mes tjerash se gjuha, të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës, është në përdorim zyrtar, krahas maqedonishtes në institucionet shtetërore dhe publike të vendit.
Kjo ka krijuar një lloj euforie tek partitë shqiptare në pushtet, duke përvetësuar suksesin e kësaj arritjeje. Por, përfaqësues të Lidhjes Social Demokrate kanë reaguar përmes rrjeteve sociale në internet duke thënë se ligji për gjuhët është pjesë e programit qeveritar dhe rezultat i përbashkët i partnerëve qeveritarë.
Kryeministri Zoran Zaev, duke folur nga Ohri, tha të shtunen se me ligjin për gjuhët zgjerohet përdorimi i gjuhëve të të gjitha komuniteteve dhe se të gjitha përcaktimet ligjore janë në përputhje me nenin 5 të Kushtetutës.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja e quan vendimin e qeverisë kundërkushtetues.
Partitë e koalicionit qeveritar kanë shumicën e nevojshme për miratimin e këtij ligji, ndërsa opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE pritet të përdorë truqet e zvarritjes së seancës parlamentare kur të hapet debati për avancimin e shqipes.
Nga ana tjetër, do të vazhdojnë debatet lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në valutën maqedonase dhe në uniformat ushtarake dhe policore.
Në të vërtetë, në kushtetutë nuk figuron si “gjuha shqipe” por si “gjuha të cilën e flasin të paktën 20 përqind e popullatës” dhe kjo ka nxitur prej vitesh pakënaqësi te shqiptarët e Maqedonisë.
Pritet që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme t’ia dorëzojnë ligjin për shqyrtim Komisionit të Venecies, nga i cili pritet një vlerësim mbi këtë, si pjesë e një pakete ligjore që duhet ta sjellë Maqedonia.
Facebook Forum