Parlamenti i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen për fqinjësi të mirë të nënshkruar verën e vitit të kaluar midis kryeministrave Zoran Zaev të Maqedonisë dhe Bojko Borisov të Bullgarisë. Marrëveshjen e votuan 61 deputetë dhe vetëm një abstenoi gjatë votimit.
Ajo ka qenë temë debatesh të gjata për shkak të raporteve historike në mes të dy vendeve dhe opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE është shprehur kundër saj, duke e cilësuar pozitën maqedonase si të dëmtuar nga marrëveshja. VMRO-ja po bojkoton punimet e parlamentit. Edhe një pjesë e historianëve maqedonas vlerësojnë se Maqedonia mbetet e nënrenditur, se heq dorë nga pakica bullgare në Maqedoni. Ndërkaq, analistët e shikojnë marrëveshjen si pro-evropiane, që forcon qëndrueshmërinë në raportet maqedono-bullgare dhe që i hap rrugën Maqedonisë drejt Bashkimit Evrpoian.
Bullgaria ka qenë vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1991, por ende ka qarqe në Sofje që e vënë në dyshim identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Aktualisht mendohet se janë mbi njëqind mijë shtetat të Maqedonisë të cilët kanë marrë nënshtetësi bullgare duke u deklaruar për bullgarë, ndërsa pakicat respektive nuk njihen nga të dy shtetet.
Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov duke e mbrojtur marrëveshjen, tha para ligjvënësve se ajo mbron interesat kombëtare të të dyja vendeve, edhe shton se asnjëra palë nuk është plotësisht e kënaqur me tekstin e saj.
“Megjithatë është fakt se me marrëveshjen dy vendet rritemi, japim sinjal se edhe në rajonin tonë mund të sillemi në mënyrë evropiane”, tha ai.
Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë parashikon bashkëpunimin e dy vendeve në sferën e integrimeve evropiane dhe Bullgaria tash që ka marrë drejtimin e BE-së, zotohet ta ndihmojë Maqedoninë që sa më parë t’i plotësojë kriteret për anëtarësim në BE dhe NATO; Po ashtu, parashikohet shtimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë, politikës sociale, sportit, turizmit; lehtësimi i formaliteteve doganore dhe kufitare; ruajtja e kontakteve dhe takimeve mes autoriteteve të të dyja vendeve; sigurimi i kushteve për lëvizjen më të gjerë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit; formimi i Komisionit të përbashkët multidisiplinor të ekspertëve, për interpretimin shkencor të ngjarjeve historike; organizime të përbashkëta për ngjarje historike.
Secili shtet mund të mbrojë interesat e pjesëtarëve të vetë në territorin e shtetit tjetër, ndërkaq Maqedonia garanton se me asgjë në Kushtetutën e saj nuk synon përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë. Një komision ndërqeveritar, i cili do të takohet një herë në vit, do të kujdeset për zbatimin e marrëveshjes.
Facebook Forum