Lidhje

Victoria Nuland për krizën në Maqedoni


Victoria Nuland
Victoria Nuland

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, e cila qëndroi të hënën në Shkup, u bëri thirrje autoriteteve dhe drejtuesve politikë që të zgjidhin sa më shpejtë krizën politike të vendit. Ajo theksoi se Maqedonia duhet të kryejë një sërë reformash në fushën e gjyqësorit, të zgjedhjeve, apo për lirinë e shtypit, që vendi të ecë më shpejt drejt integrimit euro-atlantik.

Victoria Nuland në Shkup
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Ndihmës-sekretarja amerikane tha se SHBA e mbështesin fuqishëm marrëveshjen e arritur më 2 qershor dhe se kanë mbetur pak çështje për t’u përfunduar. Ajo shprehu mbështetjen e saj për komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn. Zyrtari evropian pritet të mbërrijë në Shkup të martën në përpjekje për të ndihmuar autoritetet të kapërcejnë ngërçin aktual.

Opozita dhe partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, ndërsa bien dakort për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme deri në prill të vitit të ardhshëm, siç parashikohet në marrëveshjen e 2 qershorit, kanë kundërshti të thella se cila forcë politike do të organizojë zgjedhjet dhe do ta drejtojë vendin deri atëhere. Opozita kërkon një qeveri të përkohshme, ndërsa kryeministri aktual Gruevski nuk pranon të japë dorëheqjen.

Kriza politike, tha zyrtarja amerikane, ua ka bërë të vështirë drejtuesve që të përqendrohen tek synimet kryesore.

“Por kjo duhet të kapërcehet. Tash është koha që kësaj krize t’i vijë fundi”, tha zonja Nuland ndërsa theksoi bashkëpunimin amerikan me Bashkimin Evropian, përkatësisht përpjekjet e ambasadorit amerikan Jess Baily me komisionerin Johanes Hahn që “t’i afrojnë palët rreth një mirëkuptimi që do t’i mundësonte Maqedonisë kthimin në rrugën që ajo vet ka zgjedhur, atë të integrimit euro-atlantik, të zhvillimit ekonomik, të një qeverie të mirë dhe të pastër, sundimit të ligjit, medias së lirë”, tha zonja Nuland.

Zonja Nuland tha se SHBA i kanë dhënë Maqedonisë mbështetje të fortë, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet dhe kanë inkurajuar krijimin e një Maqedonie të fortë, të bashkuar, dhe të integruar në sistemin euro-atlantik. Ky, tha diplomatja e lartë, vazhdon të jetë synimi strategjik i SHBA.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike është mundshme vetëm si proces juridik, institucional dhe politik, në pajtim me rendin kushtetues, parimet demokratike dhe sundimin e ligjit.

Zoti Gruevski foli më tepër për partneritetin me SHBA, pjesëmarrjen në misione paqësore të ushtrisë së Maqedonisë, ndërsa tha se duhet të vazhdojnë bisedimet greko-maqedonase për kapërcimin e dallimeve rreth emrit të Maqedonisë.

Zonja Nuland, në lidhje me çështjen e emrit vuri në dukje se SHBA janë të gatshme të vazhdojnë mbështetjen për një zgjidhje në Kombet e Bashkuara, “sapo të arrini një marrëveshje që ta çoni vendin tuaj përpara dhe ta zgjidhni krizën politike”, tha ajo duke iu drejtuar kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski.

Ndërsa zyrtarja amerikane po takohej me kryeministrin Gruevski dhjetra protestues, të cilët ka javë të tëra që qëndrojnë nëpër tenda para ndërtesës së qeverisë, kërkuan zëshëm dorëheqjen e kryeministrit Gruevski; “S’ka drejtësi, s’ka paqe”, bërtisnin ata.

Zonja Nuland u takua edhe me kryetarët e dy partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së, dhe Menduh Thaçi i PDSH.

XS
SM
MD
LG