Lidhje

Maqedoni e Veriut, Presidenti mbledh drejtuesit politikë


Me ftesë të presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski në Shkup filloi takimi i drejtuesve të partive të pushtetit dhe opozitës, për të diskutuar mbi dështimin e marrjes së datës nga Bashkimi Evropian para dy ditësh në Bruksel për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Në takim po ashtu temë diskutimi pritet të jetë propozimi i Kryeministrit Zoran Zaev për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zoti Zaev e bëri dje këtë propozim pas zhgënjimit të thellë me vendimin e Brukselit.

Sipas të gjitha gjasave, të gjitha partitë kryesore në Maqedoninë e Veriut do ta mbështesin propozimin për zgjedhje të reja, të cilat megjithatë vetëm se mund të shënonin kthim prapa sa i përket reformave të nevojshme, sipas analistëve.

Në takimin te presidenti maqedonas po marrin pjesë Kryeministri Zoran Zaev, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Hristijan Mickovski i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Afrim Gashi i Alternativës, që është pjesë e qeverisë dhe Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare.

Partitë e opozitës për muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke e kritikuar qeverinë e zotit Zaev për skandale korrupsioni, nepotizëm dhe paaftësi për realizimin e reformave që do ta çonin vendin drejt integrimit evropian.

Megjithatë, Maqedonia e Veriut, pas marrëveshjes së Prespës të arritur me Greqinë fqinje, së shpejti pritet të bëhet anëtarja e tridhjetë e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG