Lidhje

Zaev publikon incizime bisedash


Drejtuesi opozitar në Maqedoni, Zoran Zaev publikoi të premten ato që i prezantoi si një pjesë të bisedave të përgjuara telefonike midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski. Folësit dëgjohen duke biseduar për mënyrat e shkatërrimit të një kompleksi ndërtimor të quajtor Cosmos, pronë e ish-deputetit Fiat Canoski. Personi që besohet se është Gruevski dëgjohet duke e udhëzuar personin tjetër, që supozohet të jetë një prej ministrave të kabinetit të tij, që të ndryshohen planet urbanistike me qëllim që të prishet objekti, si dhe për përdorimin e mjeteve të shkatërrimit.

Opozita maqedonase e quajti këtë akt një hakmarrje të Nikolla Gruevskit ndaj ish-partnerit të tij të koalicionit. Fiat Canoski, i cili është kryetar i një partie të vogël të komunitetit të njohur si torbesh, duket se ishte detyruar të dilte nga koalicioni qeveritar për shkak të mbylljes së televizionit A1, me pronarin e të cilit kishte lidhur miqësi familjare.

Drejtuesi opozitar Zaev bëri të ditur poashtu, se në mesin e të përgjuarve – nga materialet që janë përpunuar deri tash - janë të paktën dhe gjashtë ambasadorë të huaj, të vendeve më me ndikim, siç tha ai. Zaev ngul këmbë se materialet e përgjimeve i janë dorëzuar partisë së tij nga njerëz brenda Shërbimit sekret të vendit dhe jo nga ndonjë shërbim i huaj, ashtu siç dëgjohej ai fillimsht në një video-regjistrim duke i pohuar kryeministrit Gruevski. Por, drejtuesi i opozitës thotë se kishte thënë kështu “për të mos zbuluar identitetin e punonjësve të ndershëm të shërbimit të zbulimit, që të mos e pësonin nga ky regjim”.

Ndërkohë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka reaguar pas njoftimeve për përgjimin e gazetarëve në Maqedoni.

Përfaqsuesja për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç ka kërkuar hetime të shpejta lidhur me këto përgjime. Në një komunikatë të OSBE-së nga qendra në Vienë vërehet se përgjimi dhe vëzhgimi i gazetarëve është i papranueshëm. “Kjo dobëson edhe më tutje lirinë tashmë të rrezikuar të medias në vend”, thekson zona Mijatoviç për të shtuar se kjo gjë paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të gazetarëve për të bërë punën e tyre dhe për të mbrojtur burimet e tyre. Përfaqësuesja e OSBE-së kërkon hetime transparente dhe të pavarura mbi këtë çështje dhe sjelljen para drejtësisë të shkelësve të ligjit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushtetit vazhdojnë ta quajnë tradhëti të Zoran Zaevit gjithë këtë skandal, dhe duke e akuzuar atë si spiun të një shërbimi të huaj sekret. Tashmë, një person i akuzuar për çështjen e quajtur “puç” është dënuar, me procedurë të shpejtuar, me tre vjet burg.

Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se bisedat e përgjuara të cilat identifikohen lehtë, japin shembuj klasikë për korrupsionin qeveritar në çdo sektor dhe nivel të pushtetit ekzekutiv. Se kryeministri maqedonas ka filluar një fushatë të egër kundër atyre që e kritikojnë haptazi duke i burgosur, shpesh me akuza të imagjinuara, që dëshmohet edhe në përgjimet e publikuara këto ditë.

Megjithatë, një pjesë e opinionit publik shpeh habi përse opozita nuk po zbardhë përgjimet ku përfshihen politikanët shqiptarë të Maqedonisë. Dy publikimet e para nga bisedat, e ndara, të drejtuesve shqiptarë Ai Ahmeti dhe Menduh Thaçi me bashkëpunëtorë të tyre, nuk përbëjnë ndonjë rëndësi. Zoti Zaev, tha të premten se nuk do të kursejë asnjë faktor politik, qoftë shqiptar ose maqedonas që janë përfshirë në afera dhe ka audio-regjistrime nga bisedat e tyre.

XS
SM
MD
LG