Lidhje

Maqedoni, në pyetje ish-drejtori i zbulimit Mijallkov


Prokuroria publike e Maqedonisë ka njoftuar të mërkuren se ka marrë në pyetje ish-drejtorin e Shërbimit të Zbulimit, Sasho Mijallkov, në lidhje me skandalin e publikuar nga opozita të përgjimeve të bisedave telefonike. Prokuroria ka bërë të ditur se është ngritur procedurë për të gjitha ngjarjet dhe se kanë ndërmarrë të gjitha mjetet e nevojshme për të vërtetuar nëse ekzistojnë elemente për kryerje të veprës penale dhe për të konfirmuar eventualisht përgjegjësinë penale dhe që më pas të veprohet në mënyrë të paanshme dhe profesionale.

Në lidhje me bisedat e bëra publike nga opozita, Prokuroria gjithashtu ka marrë në pyetje edhe ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit dhe të Ministrisë së Rendit.

Ky i hap i Prokurorisë maqedonase vjen menjëherë pas marrëveshjes së fundit midis pushtetit dhe opozitës për t’i dhënë fund krizës politike. Marrëveshja, mes të tjarash, parashikon një Prokuror të posaçëm që do të merret me rastet e përgjimeve, e që duhet të emërohet në muajin shtator.

Skandali i përgjimeve, i njohur si “bombat e Zaevit”, u njoftua në muajin shkurt, me publikimin e bisedave telefonike midis zyrtarëve të lartë qeveritarë, për të vazhduar deri para pak javësh; ndërkohë që vetë kryeministri Nikolla Gruevski, ministra dhe zyrtarë të pushtetit dëgjohen duke folur për manipulime të ndryshme si në gjyqsor, në zgjedhje, në media, biznese, etj.

XS
SM
MD
LG