Lidhje

KSHZ publikon rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni i shpalli të hënën në mbrëmje rezultatet e para te zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën.

VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ka fituar 51 mandate në parlament; Lidhja Social Demokrate e opozitës, 49, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 10 poste ligjvënësish, Lëvizja Besa në koalicionin “Rilindje me Besë”, 5 vende, Aleanca për Shqiptarët 3 vende dhe Partia Demokratike Shqiptare doli e fundit duke marrë vetëm 2 vende në parlament.

Të gjitha partitë shqiptare së bashku do të kenë 20 deputetë, ndryshe nga përbërja e kaluar e parlamentit kur kishin 27 vende.

Kësaj radhe, vota shqiptare u përça, si tek numri më i madh i partive shqiptare në garë, poashtu edhe për faktin se se një numër shqiptarësh kishin vendosur ta votojnë Lidhjen Social Demokrate.

​Edhe në zona të banuara vetëm me shqiptarë, apo ku shqiptarët përbëjnë një shumicë dërmuese, siç janë komuna e Studeniçanit, Haraçinës e ndonjë tjetër, opozita maqedonase ka marrë më tepër vota se sa partitë shqiptare.

LSDM ka dy deputetë të rinj shqiptarë në radhët e saj.

Zgjedhjet e së dielës, megjithatë nuk sollën një fitues që do të mund ta formonte lehtësisht qeverinë e re të Maqedonisë. Ndërkaq, dy partitë më të mëdha maqedonase vazhdojnë ta ndiejnë veten fitimtarë në garë. VMRO-DPMNE ka marrë rreth 17 mijë vota më shumë se socialdemokratët, në shkallë vendi. Maqedonia ka 6 zona zgjedhore dhe secila dërgon nga 20 deputetë në parlament. Këtë herë, sipas të gjitha parashikimeve, nuk do të ketë ligjvënës të zgjedhur nga zona e 7 që është diaspora.

Nëse mandati i jepet VMRO-DPMNE-së, asaj i duhen votat e BDI-së për ta formuar qeverinë. Në rast se ajo nuk arrin ta formojë qeverinë, mandati i jepet partisë së dytë që ka fituar më shumë vota. Por, Lidhjes Social Demokrate nuk do t’i mjaftojnë ligjvënësit shqiptarë të tre partive të tjera shqiptare, pa votat e deputetëve të BDI-së.

Pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pasi te këtë përfunduar afati për ankesa dhe procedimi i tyre, fillojnë të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re.. Analistët, nga ana tjetër, nuk janë shumë optimistë se një qeveri vetëm me një shumicë të thjeshtë do ishte e qëndrueshme dhe të sillte ligje cilësore.

XS
SM
MD
LG