Kryeministri maqedonas Zoran Zaev me të gjithë kabinetin e tij qeveritar doli në një konferencë për media për të folur për arritjet e shënuara brenda një viti, që kur e mori drejtimin e qeverisë së Maqedonisë.
Ai kishte zgjedhur oborrin e qeverisë, pranë kësaj përmendoreje partizane si vend prej nga do t’u drejtohej gazetarëve dhe opinionit publik.
Zoti Zaev theksoi reformat dhe ndryshimet e bëra gjatë 365 ditëve të kaluara “për një shoqëri që nuk nxitë ndarje”, siç tha. Ai vuri në dukje ecuritë për rritjen ekonomike, afrimin drejt strukturave euro-atlantike, transparencën dhe llogaridhënien, reformat në gjyqsor e në polici, ndërkohë që nënvizoi ligjin për përdorimin e gjuhëve si një arritje për komunitetet dhe për vetë popullin maqedonas.
Kryeministri Zaev u ndal edhe tek çështja më aktuale që është ajo e emrit të Maqedonisë, duke thënë se “asnjë herë më parë vendi nuk ka qenë kaq afër zgjidhjes së këtij problemi, ndërsa miqësia në mes palëve po ashtu nuk ka qenë kaq e afërt”. “Çështja e gjuhës dhe e identitetit janë të konfirmuara, por duhet lidership dhe jo fjalë boshe”, u shpreh Zaev.
“Po veprohet në aspektin formal-juridik të marrëveshjes kornizë dhe pres të bisedoj këto ditë me telefon me kryeministrin grek Alexis Tsipras, besoj sonte, nesër apo deri të premten”, tha zoti Zaev, i cili pret përparim të rëndësishëm nga ky komunikim. Por, ai nuk jep hollësi lidhur me spekulimet e shtuara si në Athinë edhe në Shkup që thonë se emri i ri i republikës ish-jugosllave do të jetë “Republika e Maqedonisë veriore”.
“Nuk ka marrëveshje për këtë referencë; Po i ndjekim këto spekulime dhe do t’ju njoftojmë me kohë; në mënyrë të hapur dhe transparente”, tha Zaev.
Ai përsëritë se arritja e një marrëveshjeje me Greqinë për emrin e Maqedonisë do të kalohet në referendum këtu në Maqedoni, për çka tha se ka mirëkuptimin e palës greke. Referendumi do të mbahej eventualisht në shtator ose tetor. Para kësaj, autoritetet në Shkup presin ftesë për anëtarësim në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, opozita maqedonase dhe presidenti i vendit thonë se janë të anashkaluar dhe se nuk janë të njoftuar nga qeveria me propozimet konkrete për emrin.
Facebook Forum