Lidhje

Hahn nxit Maqedoninë të vazhdojë rrugën e reformave

  • Isak Ramadani

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn ka theksuar të martën në Bruksel se nëse Maqedonia shënon përparim në reforma, atëherë Komisioni Evropian do të jetë i gatshëm që edhe më herët ta nxjerrë raportin për arritjet e këtij vendi.

Marrëveshja politike e ashtuquajtur e Përzhinës midis katër partive më të mëdha në kohën kur qe arritur ajo (korrik 2015), megjithatë mbetet baza kryesore për çdo plan të BE-së, sipas komisionerit dhe për këtë arësye një ekip ekspertësh po qëndron në Shkup për të ndihmuar institucionet e vendit në zgjidhjen e problemeve rreth sundimit të ligjit.

“Nëse punët shkojnë mbarë, ne edhe para muajit prill do të përgatisim një raport pozitiv”, është shprehur Hahn.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe fqinjësi të mirë, Federica Mogherini ka thënë se “BE-ja përshëndet fillimin e ri, angazhimin e fuqishëm dhe optimizmin lidhur me reformat që duan qytetarët e Maqedonisë”.

Ndërkaq, Zëvendës-kryeministri në qeverinë e Maqedonisë i ngarkuar me çështjet e integrimit evropian, Bujar Osmani gjatë një seance në Bruksel që ka kryesuar së bashku me zonjën Mogherini, ka shprehur bindjet se Maqedonia pas krizës së rëndë politike po kthehet në rrugën e integrimeve evropiane. Ai u ka shpjeguar zyrtarëve të lartë në Bruksel se plani i qeverisë së Maqedonisë mbi reformat është që të arrihet konsensus me të gjithë faktorët politikë me qëllim të përshpejtimit të rrugës drejt BE-së. Zoti Osmani ka paralajmëruar se ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do të bëhet brenda një qind ditëve të qeverisë.

Ndërkohë, ministri i jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov ka thënë se qeveria e re ka vetëm një premtim thelbësor dhe se ai është ndërtimi i institucioneve të pavarura që do të mundësojnë sundimin e ligjit.

Qeveria në Shkup shpreson se Maqedonia do të marrë në fillim të vitit që vjen datën për fillimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësim në këtë organizatë.

Maqedonia ka qenë në një pozitë mjaft të mirë në rrugën e integrimeve, por bllokada që i është bërë prej vitesh nga Greqia fqinje për shkak të emrit të këtij vendi, si dhe dhe krizat e shpeshta politike të shoqëruara me një shkallë të lartë korrupsioni dhe mungese të sundimit të ligjit, e kanë zvarritur rrugën e këtij vendi ballkanik drejt BE-së dhe NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG