Lidhje

Maqedoni: Zaev - Ahmeti zhvillojnë takimin e parë paszgjedhor

  • Isak Ramadani

Ali Ahmeti & Zoran Zaev

Kryetarët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, kanë zhvilluar sot takimin e tyre të parë, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Nga komunikatat e lëshuara prej selive të dy partive nuk jepen shumë hollësi, ndërsa thuhet se takime të tilla pritet të mbahen edhe në të ardhmen.

Nga një takim të mbajtur të mërkurën midis Nikolla Gruevskit (VMRO-DPMNE) dhe Ali Ahmetit (BDI), po ashtu nuk u dhanë hollësi të bisedimeve. Zoti Gruevski është mandatuar për formimin e qeverisë së Maqedonisë, pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor, të cilat partia e tij VMRO-DPMNE, i fitoi me një rezultat të ngushtë. Ai ka afat deri më 29 janar për formimin e kabinetit qeveritar.

Por, VMRO-ja nuk e ka të lehtë ta formojë qeverinë, sidomos pas kushteve të paraqitura nga partitë shqiptare. Këto të fundit kërkojnë statusin shtet-formues të shqiptarëve dhe zyrtarizimin në të gjitha nivelet të gjuhës shqipe. Nëse ndonjëra nga partitë maqedonase shprehet e gatshme për të hapur debate mbi këto çështje, kjo do t’i hapte rrugën përfshirjes së partive shqiptare në qeverinë e re të Maqedonisë.

VMRO-ja ka bërë të ditur para pak ditësh se nuk e pranon platformën e partive shqiptare dhe nuk ngul këmbë që me çdo kusht të formojë qeveri.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate, e cila mori 49 vende ligjvënësish, nuk është prononcuar në lidhje me kërkesat, që nga paraqitja e deklaratës së partive shqiptare.

Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët duket se më me dëshirë do të hynin në koalicion me Lidhjen Social Demokrate.

Për formimin e qeverisë së Maqedonisë nevojiten votat e 61 deputetëve, nga 120 që ka parlamenti i vendit. Por, kërkesat shqiptare imponojnë ndryshime kushtetuese për çka duhen dy të tretat e votave të ligjvënësve që, në bazë të rrethanave aktuale politike, nuk arrihen dot.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare, si rezultat i skandalit të përgjimeve. Por, kriza nuk duket se po zbutet dhe ekspertët vendas parashikojnë zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin në verë.

XS
SM
MD
LG