Lidhje

Marian House dhe rehabilitimi i grave


Qyteti Baltimore në Merilend ka numrin më të madh të të pastrehëve dhe përdoruesve të drogës në Shtetet e Bashkuara. Rreth një e treta e më shumë se 4 mijë të pastrehëve janë gra që kanë probleme me drogën dhe substanca të tjera. Një nga shumë organizatat që po përpiqen të ndihmojnë këto gra është “Marian House” e cila për më shumë se 30 vjet ka ofruar rehabilitim, këshillim dhe ndihmë për banim për këta njerëz. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tala Hadavi vizitoi këtë shtëpi e cila për shumë vite ka qenë shansi i fundit për një jetë të re për njerëzit që vuajnë nga problemet me drogën dhe të pastrehët.

Marian House ka shpëtuar jetën e shumë grave në Baltimore.

“Heroina, kokaina, ilaçet më kanë sjellë në pikën më të ulët në jetë. Marian House është një vend i bukur për mua”.

Robin është një nga më shumë se një mijë gratë që Marian House ka ndihmuar në tre dekadat e veprimtarisë së saj.

E financuar fillimisht si një program tranzicioni për gratë e sapo dala nga burgu, kjo organizatë tani ndihmon gra të tjera në nevojë. Drejtoresha ekzekutive Katie Alston thotë se Marian House u ofron “strehim” këtyre grave.

“Është një shtëpi për gratë të cilat kanë vuajtur nga përdhunimi, dhuna në familje, dhuna seksuale, sëmundjet mendore, droga. Për të gjitha këto. Kohët e fundit kemi filluar ta përdorim shprehjen komunitet terapeutik”.

Casaundra thotë se ajo erdhi të organizata Marian House pas problemeve të gjata me drogën dhe alkoolin.

“Përfundova në një lidhje të keqe, vuajta nga dhuna dhe mora plagë në fytyrë, nga vetullat deri në qafë”.

Ajo thotë se pranimi në këtë program nuk ishte i lehtë.

“Është e vështirë të pranohesh këtu. Duhet të intervistohesh për t’u pranuar. Duhet të takohesh me njerëzit të cilët duan të dinë nëse ke vullnet dhe je i gatshëm për të ndryshuar. Unë nuk kam asgjë dhe kam nevojë për këtë vend”.

Tani që ka ardhur këtu, Casaundra me krenari na tregon dhomën e saj.

“Kjo është dhoma ime. Në fillim të japin një dhomë më të vogël por më vonë mund të zgjedhësh një dhomë më të madhe, zakonisht pas rreth 6 muajve, atëherë kur njerëzit largohen nga kjo shtëpi”.

Katie Alston thotë se jeta në Marian House është si në një konvikt studentësh, por me rregulla më strikte. Pjesëmarrja në të gjitha programet si seancat e terapisë dhe këshillimit është e detyrueshme.

Zonja Alston është krenare për gratë që e përfundojnë programin në Marian House. Ajo thotë se për mbarimin e programit kërkohet shumë guxim.

“Është njësoj sikur të hidhesh në greminë. Duhet të heqësh dorë nga gjithçka. Nuk e ke idenë se ku do të përfundosh. Kështu që ne duam që këto gra të bëjnë një lëvizje nga varësia ndaj problemeve te pavarësia prej tyre”.

“Këto janë lotë gëzimi. Jam shumë e kënaqur sepse kam arritur kaq shumë për 13 muaj. Paqja është ajo që më bënë më të fortë”.

Katie Alston thotë se mijëra gra në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën kanë nevojë për qendra të tilla trajtimi por ato nuk mund t’i gjejnë ato. Në disa vende të botës qendra të këtij lloji nuk ekzistojnë.
XS
SM
MD
LG