Lidhje

Sasi të reja marijuane shqiptare drejt Greqisë


Policia greke vijon të zbulojë sasi marijuane që hyjnë nga territori shqiptar dhe transportohen në thellësi të vendit. Operacioni më i fundit është zhvilluar në zonën e Kosturit, afër kufirit juglindor shqiptar ku janë bllokuar dhjetëra kilogramë marijuanë dhe arrestuar dy persona.

Një tjetër sasi prej rreth 120 kilogramë marijuanë u zbulua në kufirin verior grek me Shqipërinë dy ditë më parë, në zonën e Artës. Policia greke e zbuloi lëndën narkotike në një automjet që po udhëtonte nga Janina në drejtim të kryeqytetit grek Athinë. Greqia është destinacioni i dytë pas Italisë për sasitë e marijuanës të kultivuara në Shqipëri. Sipas Raportit vjetor të Policisë greke për vitin 2016 trafiku i marijuanës nga Shqipëria njohu një rritje të ndjeshme me 362% krahasur me vitin e mëparshëm ndërkohë që sasia e bllokuar shkonte në mbi 13 tonë.

Zbulohet grupi aziatik që kultivonte farën vietnameze të marijuanës, hetohen lidhjet në rajon

Drejtoria e Antidrogës së Atikës në Greqi tha se goditi një rrjet, anëtarët e të cilit u përfshinë në kultivimin e fidanëve, me qëllim krijimin e një linje prodhimi dhe shitje të marijuanës së papërpunuar në tregun e paligjshëm të drogës. Sipas policisë greke pesë persona u arrestuan mes të cilëve dhe një shtetas vietnamez dhe dy shtetas kinezë.

Policia greke tha se gjeti tre laboratorë kultivimi të pajisur me mjete moderne në tre rezidenca luksoze dhe sekuestroi edhe 2,195 - fidanë të kultivuar. Policia greke vlerëson se fitimi total i pritshëm financiar nga veprimtaria e paligjshme e anëtarëve të organizatës ishte të paktën 4 milionë euro.

Sipas policisë greke po hetohet lidhja e grupit me rajone të tjera europaine për sa i përket shpërndarjes së fidanëve në bashkëpunim me policitë e vendeve europiane. Burimet policore shqiptare thanë vitin e shkuar se edhe në Shqipëri kultivuesit e marijuanës përdorën për herë të parë farën vietnameze. Lloji i farës garantonte cikël të shkurtër të rritjes së bimës dhe siguronte që të mbjellat të ishin gati për korrje për 40 ditë.

Sipas oficerëe të antidrogës , në ndryshim me marijuanën që kultivohej më parë në Shqipëri gjethja e bimës vietnameze ishte pak më e vogël, por bima kishte prodhimtari më të lartë dhe cikël të shkurtër kohor pjekjeje.

Policia shqiptare ka zhvilluar kohët fundit operacione të shumta kontrolli për të parandaluar mbjelljen e farishteve dhe kubikëve që mund të kultivojnë bimë narkotike, dhe sekuestrimin e farave të marijuanës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG