Lidhje

Marrëdhëniet kino-amerikane


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakort të rifillojnë negociatat për një marrëveshje dypalëshe investimesh që mund të zgjerojë qasjen e investitorëve amerikanë në tregjet kineze. Marrëveshja erdhi gjatë bisedimeve me zyrtarë të lartë kinezë dhe amerikanë në Uashington.

Kjo është hera e parë që Kina bie dakort të bisedojë për një marrëveshje që mbulon investimet e huaja në të gjithë sektorët e ekonomisë së saj. Lëvizja tregon se udhëheqësit e ri të Pekinit e kuptojnë se rritja nuk mund të arrihet me modelet e së kaluarës, thotë Sekretari amerikan i Thesarit, Jacob Lew.

"Ata e dine se kanë nevojë për tiparet e një ekonomie më të orientuar nga tregu dhe ne duhet të hapim tregjet ndaj njëri-tjetrit. Ne mirëpresim investimet kineze në Shtetet e Bashkuara. Ne mirëpresim mundësitë për investimet amerikane në Kinë."

Pekini dhe Uashingtoni ranë dakort të shtojnë bashkëpunimin për rregullat financiare, zbatimin e ligjit dhe standartet e kontabilitetit – të gjithë, hapa të rëndësishëm përpara thotë zëvendëskryeministri Wang Yang.

"Shtetet e Bashkuara mirëpresin institucionet financiare kineze të investojnë në tregjet amerikane. Mirëkuptimi dypalësh dhe besimi janë parakushte të rëndësishme për një bashkëpunim mes dy vendeve madhore."

Me tregëtinë mes të dy vendeve që shkoi në vlerën 500 miliardë dollarë vitin e kaluar, një marrëveshje dypalëshe investimesh mund të nënkuptojë përfitime të mëdha për të dyja ekonomitë. Por ajo kërkon gjithashtu miratimin e dy të tretave të senatit amerikan, ku shumë anëtarë kanë qënë kritik ndaj spiunazhit kibernetik kinez, që sipas ekspertëve i kushton Shteteve të Bashkuara qindra miliarda dollarë në vit. Ndihmës sekretari amerikan iShtetit Bill Burns.

"Lidhjet teknologjike që na bashkojnë përbëjnë gjithashtu një sfidë të re në marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë bashkëpunimit këtë javë, theksuam se vjedhja kibernetike e sekreteve tregëtare, pasurisë intelektuale dhe informacioneve konfidenciale të bizneseve është e papranueshme."

Kina i mohon akuzat dhe është bërë gjithnjë e më e zëshme për këtë çështje pas rrjedhjes së informacionit nga ish analisti amerikan i zbulimit Edward Snowden mbi programin e përgjimeve amerikane mbi objektivat kineze. Këshilltari shtetëror kinez Yang Jiechi.

"Kina është viktimë e sulmeve të piraterisë kibernetike. Pikëpamja e Kinës është se rregullat ndërkombëtare kibernetike të tanishme duhet të hartohen nga OKB-ja për të ndihmuar sigurinë kibernetike për të gjitha vendet."

Për pretendimet rivale në ujrat e Detit të Kinës dhe Detit të Kinës Lindore, zoti Yang thotë se Kina shpreson që Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut.

"Të dyja palët janë të mendimit se përpjekjet për të ndërtuar një model të ri marrëdhëniesh të një vendi të madh duhet të fillojnë në Azi-Paqësor. Të dyja palët vendosën të mbajnë një raund të ri konsultimesh këtë vjeshtë dhe të përpiqen për paqe, stabilitet dhe zhvillim në atë rajon."

Gjatë këtyre bisedimeve, zyrtarët amerikanë dhe kinezë diskutuan gjithashtu rreth luftës në Siri, rreth tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani dhe mbi programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.
XS
SM
MD
LG