Një zyrtar i lartë afgan thotë se Shtetet e Bashkuara premtuan të ndihmojnë në mbrojtjen ushtarake të Afganistanit për të paktën dekadën e ardhshme, pasi forcat afgane të kenë marrë zyrtarisht kontrollin e plotë të sigurisë së vendit të tyre në vitin 2014.
Këshilltari afgan i Sigurisë Kombëtare, Rangin Spanta i njoftoi kushtet e marrëveshjes strategjike amerikano-afgane sot në parlament. Projekt-marrëveshja u nënshkrua një ditë më parë gjatë një ceremonie në Kabul.
Zoti Spanta tha se sipas marrëveshjes së propozuar, të dyja palët mund të bien dakord për të zgjeruar ndihmën ushtarake amerikane edhe pas vitit 2024.
Marrëveshja mbulon një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet ekonomike, shoqërore dhe politike midis Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit kur të gjitha trupat luftarake ndërkombëtare të jenpë larguar nga vendi në vitin 2014. Megjithatë, zoti Spanta u tha ligjvënësve se dy vendet ranë dakord që të mos e përfshijnë në marrëveshje çështjen e bazave amerikane, duke e quajtur atë "të komplikuar" tani për tani.