Kombet e Bashkuara e konsiderojnë martesën nën moshën 18 vjeçare si shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa rastet më të shpeshta janë në vendet më pak të zhvilluara, martesa e të miturve është gjithashtu një realitet në Shtetet e Bashkuara. Studiuesit në degën e shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë zbuluan se rreth 78 mijë fëmijë amerikanë nga mosha 15 deri në 17 vjeç janë ose kanë qënë të martuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee sjell më shumë hollësi për efektet e martesës në moshë kaq të re në Shtetet e Bashkuara.
Sara Tasneem u detyrua të rritej më shpejt se moshatarët e saj. Kur ishte 15 vjeç, i ati e martoi me një 28 vjeçar.
"Babai im ishte i përfshirë në një shoqatë, që në thelb ishte një lloj kulti, i ndarë nga feja e Islamit. Ishte roli yt si vajzë të shërbeje vetëm si grua dhe si nënë”, tregon Sara.
Tasneem, e cila e përdor këtë emër për të mbrojtur identitetin e saj, thotë se u martua shpirtërisht me atë njeri dhe u nda nga familja e saj:
"U larguam nga vendi dhe u kthyem në vendin e tij të origjinës. U kthyem rreth gjashtë muaj më vonë kur isha shtatzënë dhe 16 vjeç dhe u martuam ligjërisht në Reno. Kalova vërtetë në depresion. Më kujtohet kur shihja fëmijë të moshës time që shkonin në shkollë dhe doja të isha si ata."
Përvoja e Tasneem nuk është e veçantë në Shtetet e Bashkuara. Një studim i të dhënave të Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë tregon se nga viti 2010 deri në vitin 2014, rreth 78,000 fëmijë amerikanë mes moshës 15 dhe 17 vjeç thanë se ishin të martuar.
"Është problem pasi ata kanë më pak gjasa të mbarojnë shkollën e mesme, 31% ka më shumë gjasa të jenë në varfëri në moshë madhore dhe për vajzat, shëndeti i tyre kërcënohet kur lindin të reja dhe po ashtu kërcënohet edhe shëndeti i foshnjave të tyre ", thotë Jody Heymann, me Univesitetin e Kalifornisë.
Të dhënat gjithashtu tregojnë një aspekt të martesës së fëmijëve që i vë Shtetet e Bashkuara në një pozitë ndryshe nga vendet e tjera.
“Djemtë gjithashtu po martohen të rinj”, thotë zonja Heymann.
Studimi tregon se numri më i madh i të martuarve fëmijë janë me origjinë indiane dhe kineze. Fëmijët imigrantë kishin më shumë gjasa të martoheshin sesa fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara.
"Kjo nuk është unike për asnjë fe. Ka martesa të fëmijëve nga të gjitha grupet etnike dhe vendet apo origjina, por fëmijët që vijnë nga familjet që kanë origjinë nga Amerika Latine, Lindja e Mesme apo Azia Lindore kanë shkallë më të lartë të martesave. Ka gjithashtu nga ata fëmijë, prindërit e të cilëve janë lindur këtu në Shtetet e Bashkuara, që kanë ende një shkallë shumë më të lartë të martesave se sa do të ishte e pranueshme", thotë zonja Heymann.
Tasneem lindi dy fëmijë me burrin e saj para se të divorcohej.
“U ndjeva vërtet e robëruar. Sikur m’u vodh mundësia për t’u arsimuar dhe sot e kësaj dite po luftoj për të marrë arsimin e duhur", thotë ajo.
Në moshën 37 vjeçare, fëmijët e saj janë rritur dhe ajo sapo është rimartuar, por arritja në këtë pikë nuk ishte e lehtë.
“Nuk ka asnjë mënyrë për ta plotësuar përsëri njeriun pasi i ke marrë lirinë”, thotë Sara.
Studiuesit thonë se tregimet e të mbijetuarve mund të ndihmojnë publikun të kuptojë efektet e martesës në moshë shumë të re.
Facebook Forum