Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis u takua në Tokio me homologun e tij, në një përpjekje për të zbutur shqetësimet e Japonisë lidhur me angazhimin amerikan në rajon, ndërsa vazhdojnë negociatat për çarmatimin bërthamor të Phenianit.
"Aktualisht ndodhemi në mes të negociatave krejt të pashembullta me Korenë e Veriut, por në këto kohë dinamike, aleanca e gjatë mes Japonisë dhe SHBA-së qëndron e palëkundur", tha zoti Mattis në krah të ministrit japonez të mbrojtjes Itsunori Onodera.
"Ka siguri absolute mes nesh, se qëndrojmë të patundur", shtoi ai.
Sipas zotit Onodera, Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Japoninë.
Më parë këtë muaj, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi pezullimin e stërvitjeve ushtarake të përbashkëta me Seulin, pas një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, duke i quajtur ato "të kushtueshme" dhe "provokative". Pheniani kishte kërkuar prej kohësh që stërvitjet të ndaleshin i frikësuar se ato kishin për qëllim pushtimin, gjë e cila është hedhur poshtë nga ushtria amerikane dhe ajo e Koresë së Jugut.
Zoti Onodera tha të premten se stërvitjet ishin "të rëndësishme për stabilitetin e rajonit".
Ministri japonez i mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara dhe Japonia duhet të punojnë së bashku për të zhbërë "të gjitha armët e shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut, përfshirë këtu ato biologjike, kimike dhe raketat balistike të çdo game".
Si Japonia ashtu edhe Koreja e Jugut ndjehen të kërcënuar nga provat bërthamore të Phenianit.
Të enjten zoti Mattis ishte në Korenë e Jugut, ku garantoi se angazhimi amerikan për sigurinë në këtij vendi "mbetet i hekurt".
Gjatë vizitës së tij më herët në Kinë, zoti Mattis u takua me presidentin Xi Jinping dhe ngriti shqetësimin për armatosjen dhe lirinë e lundrimit në detin e Kinës jugore.
Facebook Forum