Lidhje

Sekretari Jim Matis viziton Pekinin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis u takua në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping në klimën e rritjes së tensioneve diplomatike, ushtarake dhe ekonomike midis dy superfuqive.

Ndërkohë, zoti Mattis tha se marrëdhënia ushtarake midis Uashingtonit dhe Pekinit është vendimtare për marrëdhëniet më të gjera midis dy vendeve.

Para takimit me udhëheqësit kinezë, zoti Mattis tha se kjo është një periudhë e rëndësishme në historinë e Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara. Kam ardhur këtu, - tha ai, - për t’i mbajtur marrëdhëniet tona në një trajektore të madhe, që shkon në drejtimin e duhur.

Në takimin me ministrin kinez të Mbrojtjes Wei Fenghe, Sekretari Mattis i theksoi homologut të tij rëndësinë që dy vendet të kenë marrëdhënie të mira ushtarake.

“Marrëdhëniet ushtarake janë kyç për marrëdhëniet më të gjera midis dy vendeve tona dhe, siç e thatë edhe ju, ne i filluam sot bisedimet këtu me një dialog shumë të hapur dhe të sinqertë,” tha zoti Mattis.

Vizita e sekretarit Mattis është errësuar nga zemërimi i Pekinit rreth vendimit të Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të larta mbi importet kineze, duke bërë që Kina të reagojë me masat e saj ndaj mallrave amerikane.

Ndërkohë, shtimi i pranisë ushtarake kineze në Detin e Kinës Jugore i ka vënë përpara një sfide marrëdhëniet midis dy superfuqive.
Sekretari Mattis kishte tërhequr një ftesë drejtuar Kinës për të marrë pjesë në një manovër detare shumëkombëshe në Paqësor, por të mërkurën, ai i dorëzoi ministrit Wei një ftesë për të vizituar Pentagonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG