Lidhje

Pas votëbesimit, Theresa May përsëri përballë krizës së Brexit-it


British Prime Minister Theresa May speaks after winning a confidence vote, after Parliament rejected her Brexit deal, in London, Jan. 16, 2019, in this screen grab taken from video.
British Prime Minister Theresa May speaks after winning a confidence vote, after Parliament rejected her Brexit deal, in London, Jan. 16, 2019, in this screen grab taken from video.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May i mbijetoi me vështirësi votëbesimit që po të mos ta kishte marrë, do kishte rrëzuar qeverinë e saj. Por tani për trani ajo përballet me krizën lidhur me daljen e vendit të saj nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja që ajo arriti me Brukselin, u hodh poshtë me një diferencë rekord votash dhe nuk është aspak e qartë se si Britania do të shmangë daljen pa marrëveshje nga BE-ja ndoshta me pasoja katastrofike për ekonominë.

Më në fund një farë lehtësimi për kryeministren që fitoi votëbesimin me 19 vota.

“Dhoma e Komuneve i dha besimin kësaj qeverie. Unë jam e gatshme të punoj me të gjithë anëtarët për të dhënë rezultate për Brexit”, tha kryeminstrja May.

Humbja e thellë të martën nuk e ka lëkundur Theresa May-n. Ajo do që ta ringjallë marrëveshjen. Por dita për daljen nga BE-ja në mars, po afron me shpejtësi.

“Plani B është të provojmë prapë Planin A, por tani më pranë greminës”, thotë Ian Bond i Qendrës për Reforma Evropiane.

Kështu, ligjvënësit po mendojnë për hapat e mëtejshëm. Mbi 70 deputetë laburistë të mërkurën shprehën mbështetjen për një referendum, por udhëheqësi laburist nuk ishte një prej tyre.

Një grup tjetër ligjvënësish po planifikon që në thelb t’i marrë pushtetin e qeverisë për të shmangur daljen nga BE-ja pa një marrëveshje.

Udhëheqësit evropianë, i kërkuan Britanisë që urgjentisht të paraqesë një plan të ri.

“Ende ka kohë për të negociuar por ne tani po presim të shohim se çfarë do të propozojë kryeministrja britanike”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Evropa nuk po bën lëshime. Por pritja për kryenegociatorin e BE-së për Brexit-in, Michel Barnier nga ligjvënësit e BE-së ishte në kontrast me problemet e zonjës May.

“Sot më shumë se kurrë frikësohemi se nuk do të kemi marrëveshje dhe ne jemi të përqendruar ta shmangim këtë skenar”, tha ai.

Zoti Barnier tha se BE-ja mund ta ndryshojë marrëveshjen nëse zonja May heq dorë nga vijat e kuqe, si kërkesa e saj për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë në Bashkimin Evropian.

"Është shumë e vështirë për BE-në që t’i japë asaj ndonjë gjë që përputhet me vijat e saj të kuqe që të jetë njëkohësisht në përputhje me ligjin e BE-së. Dhe një klub prej 27 vendesh nuk do të ndryshojë rregullat e veta në favor të vendit që po del”, thotë zoti Bond.

Theresa May mund të kthehet në parlament me një Plan B deri në fillim të javës së ardhshme. Ndërsa koha kalon me shpejtësi, kriza e Brexit-it thellohet, pa një rrugëdalje të qartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG