Lidhje

Mbyllja e qeverisë federale po ndikon në mbarë popullsinë amerikane


Vullnetarët shërbejnë vakte falas për punonjësit federalë në restorantin e shefit të kuzhinës Jose Andres, në Uashington

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se në një fjalim drejtuar kombit, ai do të bëjë sot një deklaratë të rëndësishme në lidhje me mbylljen e qeverisë dhe sigurinë kufitare. Ndërkohë, për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, qindra mijëra punonjës federalë janë të pezulluar ose punojnë pa pagesë, dhe pasojat po shtrihen në mbarë vendin.

Punonjësit federalë në mbarë vendin thonë se durimi ka sosur.

Disa familje, të cilat nuk janë mbështetur kurrë tek dhurimet bamirëse, tashmë janë duke iu drejtuar për ndihmë depove ushqimore. Po ndikohen edhe studentët që përftojnë vakte falas ose me çmim të ulur në shkolla.

Një shkollë në Karolinën e Veriut njoftoi se do të rishikohen menutë e ushqimit për të kursyer rezervat ushqimore dhe fondet.

Familja Lambert është e shqetësuar për ushqimin për fëmijët e tyre 5 dhe 6 vjeçarë.

“Sa më shpejt ta zgjidhin, aq më mirë për ne me të ardhura të ulëta”, thotë zoti Lambert.

Në Kaliforni, sindikatat e punonjësve të sigurisë së transporteve thonë se mbyllja e qeverisë ka zgjatur jashtëzakonisht shumë.

Në Uashington, familjarët po u kërkojnë ligjvënësve të gjejnë rrugën e përbashkët.

“Kam lënë të gjitha objektet e mundshme tek dyqani i pengjeve. Tani s’kam ç’bëj më”, thotë zonja Smith.

Vazhdimësia e mbylljes së qeverisë, po godet edhe bizneset.

Mohammad Badah ka që në vitin 2014 që tregton gatimet e Lindjes së Mesme në Uashington. Ai thotë se mbyllja e qeverisë i ka ulur shitjet në mënyrë dramatike.

“Normalisht, në këtë zonë u shërbej vakte rreth 60-70 klientëve. Sot, kanë qenë vetëm 19 dhe e gjithë kjo javë ka qenë vërtet shumë e keqe”, thotë zoti Badah.

Nga dy kamionë ushqimorë në pronësi të tij, tashmë zoti Badah nxjerr në punë vetëm njërin. Ai thotë se nëse shitjet nuk rikthehen deri javën e ardhshme, ai do ta ndalë aktivitetin dhe do të kërkojë për punë tjetër. Deri më tani, nuk ka patur shenja tërheqjeje as nga demokratët dhe as nga republikanët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG