Lidhje

50 vjet pas vrasjes së Medgar Eversit


Në Shtetet e Bashkuara po kujtohet një ikonë e lëvizjes amerikane për të drejtat civile, pesë dekada pas vrasjes së tij për motive racore në Misisipi. Vrasja e Medgar Evers-it nxiti mbështetje të gjerë për lëvizjen e të drejtave civile, duke përfshirë të drejtën e votës për afrikano-amerikanët, sidomos në shtetet jugore. Materiali në vazhdim na njeh me punën e Medgar Evers-it dhe me njerëzit që luftuan përkrah tij.

Pesëdhjetë vjet më parë Medgar Evers ishte duke luftuar për të drejta të barabarta për afrikano-amerikanët në Misisipi. Myrlie Evers punoi përkrah bashkëshortit të saj. Ajo thotë se qëllimi i tij ishte të zhdukte diskriminimin.

"Ai ishte një njeri në mision, në misionin për të bërë që vendi i tij të ishte ashtu siç ai e dinte mund të bëhej. Dhe sigurisht, të përmirësonte në mënyrë dramatike kushtet për njerëzit e tij."

Myrlie Evers-Williams thotë se Medgar-i besonte se barrierat raciale do të binin vetëm në qoftë se afrikano-amerkanët lejoheshin të votonin - veçanërisht në komunitetet ku ata ishin më shumë se të bardhët.

"Medgar ishte i vendosur. Duke qenë se ai kishte shërbyer me forcat e armatosura dhe ishte kthyer në shtëpi pa qenë në gjendje të votonte apo të ishte një qytetar i klasit të parë, i duhej të bënte diçka për këtë."

Si sekretar në terren për NAACP (Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë), organizata më e madhe për të drejtat civile, Evers dhe të tjerë si kleriku Willie Blue regjistruan mijëra afrikano-amerikanë brenda disa muajsh.

"Ne shkuam në fushat e pambukut, nëpër rrugë, në autostrada apo kudo që mund të gjenim njerëz për të votuar dhe ata jepnin votën e tyre."

Medgar Evers ishte gjithashtu i rëndësishëm për kontributin e tij në integrimin racor të Universitetit të Misisipit si dhe për drejtimin e bojkoteve kundër tregtarëve të bardhë, për të bërë që ata të lejojin njerëzit më ngjyrë të hanin drekë në sportelet e tyre. Hollis Watkins u rekrutua nga Evers-i për t'iu bashkuar përpjekjes.

"Ai ishte shumë i dhënë pas çështjes. Të gjithë e dinin që ai nuk ishte aty sa për të thënë. Ai ishte i angazhuar dhe do të vazhdonte të ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës. Kjo të bënte të ndiheshe mirë."

"Në vitin 1963, Jackson, në Mississippi ishte vatra e demonstratave masive."


Frankye Adams Johnson mori pjesë në demonstrata me Medgar Evers-in. Ajo thotë se puna e tij e bëri atë objekt të kërcënimeve me vdekje nga racistët e bardhë.

"Nuk them se ai nuk ishte i shqetësuar për jetën e tij, por kishte një pasion të tillë për atë që bënte që shkonte përtej egoizmit."

Në mbrëmjen e 12 qershorit 1963, Medgar Evers u kthye këtu në shtëpinë e tij. Ai doli nga makina dhe u vra nga plumbat e një vrasësi.

Medgar Evers u qëllua nga Byron De La Beckwith, një supremacist i bardhë. U deshën 31 vjet dhe dy gjyqe që ai të dënohej. Zonja Evers-Williams kujton bashkëshortin e saj duke thënë se "mund të vritet një njeri, por nuk mund të vritet një ide."

"Ai e besoi këtë deri në vdekje. Ai sakrifikoi jetën e tij dhe e bëri atë me dëshirë, jo sepse donte të vdiste, por sepse e dinte që do të nevojitej çdo gjë që ai apo të tjerët mund të jepnin për të nxitur Amerikën të pranonte të gjithë qytetarët e saj, si qytetarë me të drejta të plota."

Tani, 50 vjet pas vdekjes së tij, zonja Evers-Williams thotë se bashkëshorti i saj është ende frymëzim për njerëzit në vazhdimin e punës për drejtësi dhe barazi.
XS
SM
MD
LG