Lidhje

Mediat aziatike në Teksas


Rritja e shpejtë e popullsisë aziatike në Hjuston të Teksasit e ka shndërruar qytetin e katërt më të madh të Shteteve të Bashkuara në një nga qytetet me popullsinë më të shumëllojshme. Shumë aziatikë vijnë në Hjuston për të punuar me paga të larta në sektorët e energjisë dhe mjekësisë së qytetit. Ka dhe shumë të tjerë që vijnë për të filluar një biznes në këtë qytet relativisht jo të shtrenjtë. Siç raporton nga Hjuston Greg Flakus i Zërit të Amerikës, ky numër imadh imigrantësh aziatikë kanë ndihmuar një emigran kinez të ndërtojë një perandori.

Kultura kineze është ndërthurur tashmë në përbërjen urbane të Hjustonit.

Por, imigrantët kinezë janë gjithashtu krenarë të jenë teksanë.

Një prej tyre është sipërmarrësi i lindur në Kinë, Wea Lee, i cili krijoi atje 35 vite më parë Grupin Jugor të Lajmeve.

“Miqtë tanë mblidhen këtu së bashku dhe festojnë 35-vjetorin e Grupit Jugor të Lajmeve.”

Suksesi i biznesit të zotit Lee filloi me një shtëpi të vogël botimi dhe një gazetë për komunitetin kinez në Hjuston, që atëherë ishte i vogël.

Tani, ai ka botime gjigande dhe publikon në disa gjuhë gazeta lokale në 10 qytete të Shteteve të Bashkuara.

“Për çdo orë, mund të printojmë 28 mijë kopje.”

Rritja me 70% e popullsisë aziatike në Hjuston që nga viti 2000, ka ushqyer rritjen e biznesit të zotit Lee; ai tashmë boton gazeta në disa gjuhë aziatike.

Popullsia aziatike e Hjustonit është në rreth 7%, dhe është ende e vogël krahasuar me të popullsinë e bardhë dhe hispanike që janë secila mbi 40%. Por, aziatikët janë përgjithësisht të mirëarsimuar dhe më të pasur.

Wea Lee thotë se botimet e tij kanë ndihmuar shumë emigrantë të lulëzojnë ekonomikisht.

“Shumë njerëz zhvendosen për në Hjuston, në zonën ndërkombëtare. Ne mundohemi t’i ndihmojmë të ndjehen në shtëpinë e tyre dhe që biznesi i tyre të ketë sukses.”

Ai e ka zgjeruar punën edhe në fushën e televizionit dhe internetit, duke ofruar argëtim dhe lajme për komunitetin kinez.

Meqë ushqimi kinez është popullor në mbarë botën, kanali ITV ka dhe një emision gatimi.

Në bashkëpunim me një stacion televiziv në Los Anxhelos, kanali i Hjustonit ofron programe gjatë gjithë ditës.

ITV ofron gjithashtu një program lajmesh interneti për Kinën, ku siç thotë spikeri Tongyan Zhang ka një interes të madh për Hjustonin.

“Njerëzit që jetojnë në Kinë duan të dinë nëse Hjuston është një qytet i mirë për të investuar, apo që të vijnë dhe të gjejnë një punë, ose të shkojnë në universitet.”

“Si të regjistrohesh në shkollën e mesme, si të futesh në universitet më të mira të Amerikës; kjo lloj tematike i intereson shumë audiencës kineze.”

Përveç perandorisë së tij mediatike, kompania e Wea Lee është gjithashtu pronare e Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë në qytezën kineze të Hjustonit, dhe ka qenë edhe partnere kryesore në krijimin e një banke lokale.

“Ne e vlerësojmë vërtet këtë vend të mrekullueshëm që na e dha këtë mundësi. Në ç’vend tjetër mund të fillosh një biznes bankar, apo një biznes botimesh? Kjo mund të ndodhë vetëm në Amerikë.”

Popullsia aziatike e Hjustonit është duke u rritur 50% më shpejt krahasuar edhe me Nju Jorkun ose San Fransiskon, dhe Grupi Jugor i Lajmeve do të përfitojë nga kjo rritje gjatë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG